ZULLUTË E LAGJES SIME

E shihja ashiqare. Ja këtu, përpara hundës më erdhi.
– Njerëz! Kjo s’është Anija e bardhë. Ky është tabut.
– Mjeran! – ma ktheu Hipnosi duke më mbuluar më velloin e cinizmit.
Unë vazhdova të flas, sa herë që pushonte kori i harabelave. Flisja mbi historinë e udhëkryqeve të zulluve të Konicës, mbi mundësinë e zhvendosjes së qendrës së drejtpeshimit në qeskën e testiseve dhe të nesërmen e logjikës së zorrës.
Flisja pa ia varur zgërdheshjes së Hipnosit, i vetëdijshëm se monologu im ia shterron pusin e mashtrimeve. Kishte edhe rrugë të tjera, por nuk iu përkula. Prandaj nuk më linte të qetë.
Një mbrëmje, kur po kaloja pranë lagjes Virgjëreshat, mbiu nga gjirizi dhe ma zuri rrugën.
– Shiko, ti! Ne lusim sa lusim, pastaj…
– Nuk vij me ju!, i thash i vendosur.
– Do vish! Do vish e sytë do të plasin, bile! – m’u kërcënua ai dhe, si pahiri, i dha mënjanë palltos për t’ia parë hanxharin e brezit, të mprehur enkas për tipat si unë.
I përthekuar nga sherri që mund të më zinte, s’e mora vesh si më doli përpara kopeja e deleve trulara. E tëra ndodhi në të qindtën e sekondës.
Fjalën e mori Ogiçi.
– Ti je i këndueshëm dhe na duhesh për reklamë. Ma merr mendja e di se gjërat shkruhen prej përpara.
– Gabim! – e ndërpreva unë. Gjyshi thoshte:  Para t’kruhet, pastaj t’shkruhet. Ai më mësoi të mos i marr budallallëqet për kismet.
– Mos aktro gjeniun, po eja e hyp në anije, sa s’është vonë! E sheh Rahitisin? Ka bërë gjithë atë shkollë dhe udhëton me ne. E ti?
Nuk e ndjeva në tha: “halli yt”, sepse m’u bllokua truri. Më dukej se sipër qafës kam një akull të madh. Më nuk e dija ç’argument pi ujë para mashës së tjetrit, i cili ushqen fiqirin me idenë e rrnesës në kokër të shpinës. Megjithatë, nuk m’u duk zgjidhje as varianti i daljes nga lëkura, ndaj ia mora këngës së Lahutës fishtjane:
Si mundohe ti për ne
E di mirë, pse t’njoh kush je,
Po t’them mik, se s’kam kah mbajë,
Qyshë se derri do thirrë dajë…
Fjalën “derr” e thashë pak si me të qeshur dhe Hipnosi e morri për shaka.
Pas ca ditësh më kapën sërish dhe më dërguan me zor te mjeku i syve, të cilin e porositën të më bindë se jam qorr. Absurdi mori krahë kur doktor Adhamutin e Çajupit e shpallën gjeni të kasabasë, vetëm pse e përsëriti disa herë në cergarishte diagnozën e rreme për sytë e mi. Pastaj m’u vardisën me sherbet tasash të bakërt, të stolisur me këmbora e çelësa të vegjël përreth buzëve .
Kur u binda përfundimisht se nuk e kanë ndërmend të ndërpresin kurimet me infuzione ëndrrash, gjersa të më shndërrojnë në justifikim honoraresh, lëviza pak kokën në shenjë boll-i. Kurse ata, pa humbur sekondën, më hoqën zhag dhe më futën në Anijen e bardhë, që në fakt ishte tabuti i pagëzuar djallëzisht me emrin e romanit të famshëm të shkrimtarit kirgistanez Çingis Ajtmatovit.
Tabuti ishte i ngushtë. I errët, ndaj pa hamendje i lava duart nga vetvetja dhe luta Perëndinë të kujdeset për shpirtin tim.
Pas pak, kur m’u mësuan sytë me terr dhe nisa të shoh pak, kuptova se qëndroja në pragun e kapixhikut, që ndante tabutin më dysh. Për pamjen e njërit krah fjala tmerr është stoli. Atë do ta ketë parë në mesjetën e inkuizicionit vetëm Dante Aligieri. Kudo grumbuj gjymtyrësh të prera kanibalisht. Stiva këmbësh, duarsh, gjenitaliesh, gjuhësh, syshë…, që më bëhej se përpëliten akoma nëpër llofka gjaku.
Në krahun tjetër, të ulur mbi lëkurat leshgjata majmunësh, bënin sehir misionarët e djallit. Mes tyre diktova artistin sklerotik të kasabasë, të cilit Hipnosi i kishte premtuar se do ta zbarkojë në Oazën e muzave.
Nga ky moment e kuptova se mbajtja për një kohë në pragun e qelisë së ferrit ishte mundësia ime e fundit për të zgjedhur njërën prej dy alternativave të ofruara.
Unë mbajta anën e fatkëqinjëve të torturuar fizikisht, sepse jam alergjik ndaj zukatjes së mizave, që sillen vërdallë jashtëqitjeve të Hipnosit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.