Zjarri në Vizbeg, rrezik për zgjerim drejt sipërfaqeve përreth, reagoi QMK

Qendra për Menaxhim me Kriza përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se me kërkesë të Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), tashmë është duke vepruar aeroplani “Air Tractor” i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) për shuarjen e zjarrit në rajonin e Vizbegut, transmeton Portalb.mk.

Nga QMK njoftojnë se në rajonin e Vizbegut, në Komunën e Shuto Orizarit, pranë deponisë ilegale, ka shpërthyer një zjarr i cili po përhapet dhe paraqet rrezik për zgjerim drejt sipërfaqeve përreth.

“Ekziston rrezik pasi që afër ndodhen shtëpi banimi. Me kërkesë të kryetarit të Komunës së Shuto Orizarit, Kurto Dudush, është kërkuar mbështetje ajrore për përballimin e zjarrit. Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) menjëherë e ka procesuar kërkesën në drejtim të Ministrisë për Punë të Brendshme (MPB) dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMS), me qëllim të behët një ndërhyrjeje më të shpejtë dhe më efikase në terren. Kryetarit të Shuto Orizarit i është rekomanduar që, nëse vlerësohet e nevojshme, të ndërmarrë masa për evakuimin e banorëve të asaj zone. Aktualisht, në terren po intervenojnë ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit” thuhet në njoftim.  

Deri në ora 7 e mëngjesit të sotëm, në vend janë regjistruar gjithsej 31 zjarre, shtatë prej të cilave janë aktive, sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK). Dy zjarre janë lokalizuar, dhe 22 janë shuar.

Kujtojmë se për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve, Qeveria dje miratoi një vendim në një seancë me të cilin shpalli gjendje krize në të gjithë territorin e vendit për një periudhë prej 30 ditësh. 

Ky vendim mundëson veprim të koordinuar nga të gjitha institucionet kompetente – ushtria, policia, zjarrfikësit, Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) dhe pushtetet lokale. 

Në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Maqedonia e Veriut këto ditë po përballe me zjarre masive të pakontrolluara. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov, ka paralajmëruar punësimin e 400 zjarrfikësve të përkohshëm. Deri më tani, për shkak zjarrit ka ndërruar jetë një person në Gjorçe Petrov, ndërsa ka pasur edhe bllokim të kufirit në Bllacë.