I vetëpërçmuari nuk vlerësohet nga të tjerët. Ai që nuk i respekton vlerat e veta, e pranon nënshtrimin me vetëdëshirë.
Që ta nënshtrosh një komb, më parë duhet t’ia krijosh ndjenjën e vetëpërçmimit. Kjo ndjenjë ia dobëson identitetin, e bën të varur nga të tjerët, e paaftëson për të ndërmarrë nisma të reja dhe e largon nga përbashkësia.
Për ta nxjerrë një komb nga gjendja e nënshtrimit dhe e ligështimit, nuk duhet t’ia krijosh ndjenjën e epërsisë ndaj të tjerëve, por t’ia ringjallësh vetëbesimin dhe vetërespektin. Duhet të bindet se kultura, gjuha, zakonet dhe historia e tij janë të vlefshme.
Rilindësit ia zgjuan shqiptarit dashurinë për kombin, gjuhën, kulturën dhe historinë e tij. Ia zgjuan krenarinë kombëtare dhe vetërespektin. Ia krijuan ëndrrën për të nesërmen më të bukur. Se liria fillon në mendje dhe në shpirt.
Lumo Skendo tha se shqiptarët do ta fitonin respektin e Europës, kur çdo njeri do të thoshte: “Jam një copëz nga kombi im”.
Para se të kërkojmë respekt nga të tjerët, duhet ta respektojmë veten. Duhet ta kuptojmë se kemi vlera dhe personalitete që na nderojnë, që na bëjnë krenarë dhe duhet t’i afirmojmë.
Kombet zhvillohen kur investojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave të tyre; kur investojnë në art, kulturë, shkencë, arsim, ekonomi e gjetkë.
Vetëm kombet që e vlerësojnë veten, që përthithin vlera nga kulturat tjera, kontribuojnë edhe për pasurimin e vlerave universale.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.