Zjarret në RMV, MPB: Janë arrestuar gjithsej 39 persona për zjarrvënie
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar sot se nga 01.04.2025 deri më 18.08.2025, gjithsej 39 persona janë arrestuar në lidhje me zjarret në hapësira të hapura, ndërsa janë ngritur 25 kallëzime penale, transmeton Portalb.mk.
“Shumica e zjarreve që ndodhën janë shkaktuar nga faktori njeri, me motive të ndryshme. Po merren masa dhe aktivitete për të zbardhur rastet dhe për të zbuluar ndërlidhjen e mundshme të tyre. Gjithashtu ju njoftojmë se nga 01.07.2025, pas futjes së ndalimit të lëvizjes në pyje, deri më 30.07.2025 pa leje me shkrim për lëvizje në pyje, u gjetën 22 persona. Do të ngrihen ankesa përkatëse kundër tyre sipas Ligjit për Pyjet. Për të parandaluar zjarret herët, shërbimet policore po përdorin dronë për të monitoruar brezat pyjorë në të gjithë vendin. Futja e këtyre masave operative ka rritur efikasitetin në fushën e paralajmërimit të hershëm dhe lokalizimit të zjarreve të mundshme, si dhe në zbulimin e shkaqeve ose shkaktarëve të tyre të mundshëm”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Kujtojmë se vetëm muajin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë djegur mbi 6.000 hektarë pyje ndërsa që nga fillimi i vitit pothuajse 9.000 hektarë.
Në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Në seancën e 7 gushtit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).