“Male State” në qendër të dyshimeve për kërcënimet me bomba ndaj fluturimeve në Evropë
Disa fluturime në Evropë u prekën nga kërcënimet me bomba më 6 nëntor, pas një sërë alarmesh të rreme që kishin shkaktuar ndërprerje të trafikut ajror në mbarë kontinentin më 3 dhe 5 nëntor, raporton Radio Evropa e Lirë.
Deri më tani, shkaku i këtij kaosi të vazhdueshëm mbetet i panjohur. E vetmja pistë është një email, përmes të cilit pretendohet se merret përgjegjësia për kërcënimet. Emaili mban nënshkrimin “Luftëtarët e Male State”. Ky emër, me sa duket, lidhet me një grup të mistershëm rus, të njohur si “Male State” ose “Male Legion”.
Grupi nuk duket të ketë qenë shumë aktiv gjatë viteve të fundit. Radio Evropa e Lirë ka raportuar gjerësisht për aktivitetet e tij në të kaluarën, së fundmi në vitin 2022, kur ai shënjestroi një bar në Tbilisi, të frekuentuar nga rusë që kundërshtojnë Kremlinin.
Grupi u themelua në vitin 2016 nga Vladislav Pozdnyakov, një trajner fitnesi, i cili u largua nga Rusia dy vjet më vonë, pasi u dënua me kusht për “nxitjen e urrejtjes ndaj grave”.
Lidhja e pretenduar e grupit me kërcënimet ndaj fluturimeve ende nuk është konfirmuar, ndërsa ka pasur edhe deklarata mohuese. BBC-ja iu referua një kanali në Telegram të lidhur me grupin, ndërsa Reuters citoi vetë Pozdnyakovin. Të dyja burimet raportuan se grupi nuk ekziston më dhe se nuk ka gisht në këto kërcënime.
“Male State”, i cili u shpall organizatë e jashtëligjshme në Rusi në vitin 2021, njihej për pikëpamjet e tij të ekstremit të djathtë, racizmin, mizogjininë dhe deklaratat kundër komunitetit LGBT. Anëtarët e tij madje kishin festuar edhe ditëlindjen e Adolf Hitlerit.
Grupi ra për herë të parë në sy kur nisi një fushatë kundër miratimit në Rusi të një ligji për dhunën në familje.
Në atë kohë, një aktiviste feministe i tha Radios Evropa e Lirë se ishte fyer dhe kërcënuar me vdekje, ndërsa personave të tjerë u ishin publikuar adresat e banimit në internet.
“Male State” u bë i njohur edhe për sulmet ndaj grave që kishin lidhje me burra me ngjyrë. Sipas raportimeve, grupi ishte përfshirë edhe në një fushatë kundër një zinxhiri restorantesh sushi, pasi ky i fundit kishte përdorur një burrë me ngjyrë në një reklamë.