Ngushticat në rrugën e integrimit evropian

Raporti i fundit i Parlamentit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut u prit me ndjenja të përziera. Ndërsa në fillim dokumenti përfshinte formula të qarta që e pranonin gjuhën, kulturën dhe identitetin maqedonas, ndërhyrjet e eurodeputetëve bullgarë përpara miratimit përfundimtar rezultuan me heqjen e këtyre formulimeve. Ky kompromis, i imponuar për hir të konsensusit politik, nga njëra anë u cilësua si fitore për Bullgarinë, ndërsa nga ana tjetër u perceptua nga maqedonasit etnikë si një padrejtësi dhe mohim i identitetit të tyre.

Por, nëse e shohim më gjerësisht, problemi nuk qëndron vetëm në një fjali të hequr nga një raport parlamentar. Problemi thelbësor është zvarritja e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe kostoja gjithnjë në rritje që kjo vonesë sjell për rajonin.

Sa më shumë që zgjatet rruga drejt BE-së, aq më shumë rajoni i Ballkanit Perëndimor bëhet terren për ndikime gjeopolitike që shpesh janë në kundërshtim me vlerat dhe orientimin euroatlantik. Në këtë boshllëk të krijuar nga pritjet e pafundme, kanë hyrë me ndikim të fortë Rusia, Kina, Turqia dhe aktorë të tjerë që nuk ndajnë vizionin demokratik të Evropës. Ata e shfrytëzojnë frustrimin e qytetarëve dhe konfliktet ndëretnike e ndërshtetërore për të forcuar ndikimin e tyre në politikë, ekonomi dhe media.

Procesi i integrimit evropian nuk është më thjesht një udhërrëfyes për reforma – është kthyer në një fushë shahu ku interesat kombëtare të vendeve anëtare shpesh i vënë peng vendet e vogla si Maqedonia e Veriut. Vetoja bullgare, kërkesat për interpretim të historisë dhe identitetit, si dhe presioni për ndryshime kushtetuese, po e zbehin përkushtimin fillestar ndaj reformave të brendshme dhe po e lënë vendin në një gjendje të vazhdueshme pritjeje dhe pasigurie.

Megjithatë, një pjesë e mirë e përgjegjësisë bie edhe mbi politikbërjen vendore. Qeveria aktuale, në vend që të udhëheqë me guxim dhe të ndërmarrë hapa të qartë për përmbushjen e obligimeve të ndërmarra, përfshirë ndryshimet kushtetuese të dakorduara me BE-në,i shmang këto çështje sepse nuk korrespodojnë me narrativin nacionalist përmes të cilit erdhi në pushtet. Ky hezitim i brendshëm e përforcon perceptimin se procesi i integrimit është bllokuar jo vetëm nga jashtë, por edhe nga mungesa e vullnetit të sinqertë nga vetë elita politike.

Në këtë atmosferë të pasigurisë dhe mungesës së transparencës, është e lehtë të bjerë motivimi qytetar për integrim. Në vend të një rruge drejt BE-së të mbështetur mbi reforma të thella dhe rezultate konkrete, po krijohet ndjesia se e gjithë përpjekja është e kotë, nëse gjithmonë do të ketë ose një kusht të ri nga ndonjë vend anëtar, ose një arsyetim të ri për të mos vepruar nga vetë institucionet tona.

Çfarë duhet bërë në këtë situatë të ndërlikuar është më se e qartë: fokusi duhet të rikthehet tek thelbi i reformave. Pavarësisht bllokadave të jashtme, ndërtimi i një shteti të së drejtës, krijimi i një administrate efikase dhe garantimi i të drejtave të njeriut nuk janë vetëm kërkesa të Bashkimit Evropian – ato janë parakushte për një shoqëri të drejtë dhe funksionale, në shërbim të qytetarëve tanë.

Njëherësh, është thelbësore që institucionet tona të rrisin kapacitetin për të menaxhuar procesin e integrimit si një projekt transformues të brendshëm, e jo si një qëllim që varet vetëm nga vullneti i të tjerëve. Integrimi nuk duhet të jetë një peng që lëvizet nga kriza në krizë, por një agjendë e qëndrueshme kombëtare që nuk ndalet për shkak të kalkulimeve politike apo frikës nga përgjegjësia.

Së fundmi, është e domosdoshme të forcohet diplomacia e jashtme dhe të ndërtohen aleanca të qëndrueshme me aktorë kyç brenda Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare që e kuptojnë se kushtëzimet e vazhdueshme e minojnë besimin, jo vetëm ndaj BE-së, por edhe ndaj vetë konceptit të integrimit. Vetëm përmes një qasjeje të tillë të qëndrueshme dhe parimore mund të shmangim rrëshqitjen drejt stagnimit apo, më keq, drejt izolimit strategjik.

Nëse rruga drejt Bashkimit Evropian vazhdon të vonohet, ne rrezikojmë të ngecim në një zonë gri ku vendimmarrja vendore do të jetë gjithnjë më e cenuar nga ndikime të jashtme, ku populizmi do të zëvendësojë reformën, dhe ku frustrimi qytetar do të rritet. Më keq akoma, rajoni mund të kthehet në fushë përplasjeje midis interesave malinje që do të na ndajnë më tej, në vend që të na afrojnë drejt Evropës.

Evropa duhet të veprojë më shpejt, por edhe ne duhet të qëndrojmë të vendosur. Rruga është e vështirë, por kthimi pas do të jetë shumë më i kushtueshëm. Prandaj, integrimi nuk është vetëm zgjedhje politike – është domosdoshmëri strategjike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.