Zhurmë dhe grindje

Përvjetorët shërbejnë për të bërë bilance. Nuk duhet të jesh njohës i proceseve politike, mjafton t’i kesh (për)jetuar vitet nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut deri më sot, që të arrish në përfundimin se vendi s’ka shënuar përparimet e pritshme. Janë shuar ëndrra dhe shpresa, aq sa sot më shumë mund të flasim për dështime sesa për suksese.

Krahasuar me vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut është prapa në çdo aspekt. Përballet me migrimin masiv. Mungojnë investimet e jashtme e të brendshme, që do të mundësonin hapje të vendeve të reja të punës. Ka tensione ndëretnike. Ka mungesë të sundimit të ligjit dhe të transparencës. Janë bllokuar proceset euro-integruese. Skena politike mbizotërohet nga fytyrat e njëjta me maska të reja, që nuk sollën vizion të ri për shoqërinë dhe shtetin. Përsëriten temat, premtimet, mashtrimet. Përsëriten shkrimet për marrëzitë politike, si vetë ngjarjet që i prodhojnë.

Të rënë në ligështim, vazhdojmë të ankohemi dhe të japim diagnoza për sëmundjet e shoqërisë, por pa ofruar terapi; pa ndërmarrë asgjë për t’i shëruar plagët e shoqërisë, e cila vazhdon të përpëlitet në vorbullën e tranzicionit të stërzgjatur.

S’mund të shpresojmë për të ardhme më të mirë me politikanë që nuk dinë ta lexojnë kohën e tyre; me oligarkë që pasurohen në kurriz të qytetarëve; me sistem gjyqësor që ndëshkon të varfrit dhe mbron të pasurit e pushtetarët.

Maqedonia është vend i bukur për të jetuar për një pakicë, për të cilën e ardhmja është e sigurt dhe e ndritur, ndërkaq shumica e qytetarëve e shohin “të ardhmen e ndritur” për fëmijët e tyre vetëm në Perëndim.

Vendet ku ëndërrojmë të kthehemi, pasi të kemi ikur, janë të bukura. Vendet ku ëndërrojmë të ikim sa më parë, pa dëshirë për t’u rikthyer, janë të mjerueshme. Në këtë vend sapo zgjohesh ndihesh fatkeq, sepse nuk shpreson për të nesërmen më të mirë.

Ky vend gjithnjë e më shumë i ngjan një ndërtese ku jetojnë familje në grindje të çdoditshme për gjëra të bezdisshme. Një ndërtesë e tillë bëhet depresive.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.