Zgjedhje të reja, praktika të vjetra: Politikanët (keq)përdorën të ashtuquajturat burime administrative

Tashmë ishte e qartë se pushteti kishte arritur një fitore të madhe pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, kur në podiumin e partisë në selinë e VMRO-DPMNE-së u shfaq lideri dhe kryeministri Hristijan Mickoski, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

“Teza se ka pasur parregullsi është e pabazë dhe sipërfaqësore. Ne i patëm zgjedhjet më demokratike ndonjëherë, ndërsa gjithçka tjetër është vetëm një alibi dhe një përpjekje sipërfaqësore për ta justifikuar rezultatin e dobët të opozitës”, tha lideri i VMRODPMNE-së nga foltorja e partisë më 19 tetor pas raundit të parë zgjedhor.

Numri i vogël i lëndëve para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Prokurorisë dhe Policisë konfirmon se gjatë fushatës dhe votimit nuk ka pasur incidente të mëdha.

Lind pyetja se çfarë përfundimi nxorën vëzhguesit që i ndoqën zgjedhjet, a keqpërdoren të ashtuquajturat burime administrative para dhe gjatë fushatës?

Në ditët e fundit para fillimit të fushatës zgjedhore lokale 360 Gradë publikoi një tekst për vëzhguesit e trajnuar, gjithsej 70, të cilët do ta monitoronin fushatën zgjedhore në 26 komuna. Pasi mbaroi votimi vëzhgimet e tyre u shkrinë në një raport preliminar.

Në një nivel të përgjithshëm, ata që ishin në pushtet përdorën burime shtetërore që nuk ishin në dispozicion të kandidatëve të tjerë.

“Ne pamë burime të ndryshme publike dhe përfitime nga detyra, përfitime nga pozita aktuale, ose se se si u përdorën ose u keqpërdorën fondet publike në fushatë. Dhe është e rëndësishme të kuptohet se, bazuar në vëzhgimet tona preliminare, ajo që shohim është se – po, burimet publike u përdorën në fushatë”, thotë Tatjana Hillsher Boguseviç.

Tatjana Hillsher Boguseviç është një eksperte ndërkombëtare për demokracinë dhe zgjedhjet. Sipas saj, parregullsitë e vërejtura janë pjesërisht për shkak të një zone gri, e pjesërisht për shkak të keqpërdorimeve.

“U përdorën lloje të ndryshme burimesh: hapësira publike, promovime të projekteve publike aktuale ose të kaluara, zhvillime infrastrukturore. Pati përfshirje të zyrtarëve politikë në fushatë. Problemi këtu është se disa nga këto aktivitete nuk rregullohen drejtpërdrejt me ligj. Ato bien në zona gri”, thotë ajo.

Për çfarë lloj keqpërdorimesh bëhet fjalë mund të lexoni më detajisht në raport.

Kur bëhet fjalë për keqpërdorimin e hapësirave publike, atëherë përmenden të gjitha partitë dhe koalicionet kryesore:

  • Më 1 tetor LSDM e përdori sallën kryesore të Shtëpisë së Kulturës “Makedonski Brod”;
  • Më 6 dhe 8 tetor kandidati për kryetar komune nga radhët e AKI, Blerim Ramadani, zhvilloi takime… në shkollat ​​fillore;
  • Më 9 tetor Shtëpia e Armatës në Tetovë u përdor për t’i promovuar kandidatët e ZNAM-it për Këshillin Komunal;
  • Më 18 tetor, kandidati i VLEN-it mbajti një aktivitet me mësuesit në një shkollë fillore në Dollnen;
  • Në Shkup, kriza me mbledhjen e mbeturinave… çoi në mobilizimin e automjeteve komunale dhe bashkëpunimin ndërkomunal për kryerjen e operacioneve të pastrimit, duke i paraqitur ato publikisht si arritje të fushatës.

Në të gjitha kategoritë e tjera, siç janë keqpërdorimi i projekteve të financuara publikisht, përfshirja e zyrtarëve dhe institucioneve publike në aktivitete promovuese dhe përfshirja e pushtetit ekzekutiv, dominojnë gjetjet për partitë e pushtetit qendror.

Më 8 tetor Qeveria organizoi një forum biznesi në Strumicë. Edhe pse zyrtarisht kishte për qëllim t’i promovonte mundësitë e investimit dhe ta mbështeste zhvillimin ekonomik lokal, ajo në mënyrë indirekte e lehtësoi edhe promovimin e kandidatit për kryetar komune të VMRODPMNE-së, Petar Jankov, i cili mbajti një fjalim së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministra të tjerë.

Më 15 dhe 17 tetor, në dy evente inaugurimi të organizuara nga shteti në fshatin Radushë, hapja e fushës së sportit “Berlin Arena” nga Ministria e Sportit dhe hapja e klinikës lokale shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë, fjalime mbajtën kandidati i VLEN-it për kryetar komune në Saraj, Muhamed Elmazi, i cili i lidhi këto iniciativa me platformën e tij zgjedhore.

Këtu mund të shtojmë disa nga tonat.

Para fushatës, duke filmuar me vëzhguesin Ramadan Murtezani, u regjistruan aktivitete promovuese partiake gjatë orarit të punës të kryetarit të komunës Bilall Kasami. Pas publikimit të stories, vëzhguesit iu bë më i vështirë sigurimi i informacionit se ku mbaheshin aktivitetet e partisë.

Në mbrëmjen e 19 tetorit, pak pas përfundimit të votimit, zbuluam automjete zyrtare në afërsi të QT “Mavrovasja”, ku koalicioni VLEN i ka zyrat e partisë.

Në qytete është më e lehtë të vihen re keqpërdorimet, por më e vështirë është në fshatra, thotë Daniella Cvetanoska, kryetare e organizatës “LAG Agroleader”. Ajo i monitoroi zgjedhjet në Strumicë dhe Dollnen.

“Në thelb, komunat urbane janë shumë më të informuara. Partitë politike dhe disa nga zyrtarët komunalë ose punonjësit në institucionet shtetërore janë shumë më të informuar dhe shumë më të kujdesshëm në lidhje me keqpërdorimin e burimeve administrative në nivel lokal. Ndërsa në krahasim me komunat rurale, së pari duhet të them se zyrtarët nuk janë të vetëdijshëm dhe nuk dinë për keqpërdorimin e burimeve administrative në nivel lokal. Popullata nuk e di dhe e gjithë kjo merret si diçka normale dhe diçka që ndodh, d.m.th. ata nuk e konsiderojnë atë si një keqpërdorim,” thotë Cvetanovska.

Në përgjithësi, ndër burimet më evidente administrative që u keqpërdorën janë: shkollat ​​dhe kopshtet, qendrat kulturore, ndërtesat komunale, muzetë, palestrat sportive, stadiumet dhe hapësirat e tjera publike.

Pra, me vërejtjet tona ne iu drejtuam Qeverisë, ose më saktë personit përgjegjës – Zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.

Përgjigja e tij është se, në përgjithësi, u respektuan tre dokumente kyçe për zgjedhjet – Kodi Zgjedhor, Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Kodi i Etikës së Qeverisë.

“Unë besoj se rastet për të cilat po flasim duhet t’u raportohen institucioneve që thirren për ta vlerësuar ligjshmërinë e tyre, siç është Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, dhe prej andej të nxirren përfundime. Si Zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë unë jam përgjegjës për Kodin e Etikës së Qeverisë dhe deri më tani nuk më janë raportuar raste të tilla nga vëzhguesit”, thotë Fetai.

360°: Pra, ju po thoni se në këto zgjedhje nuk ka pasur përdorim të fondeve shtetërore?

Fetai: Jo, nuk e thashë këtë. Thashë që mund të ketë pasur raste, si disa nga rastet e dokumentuara nga vëzhguesit të cilat i përmendët në fillim. Thashë që si Zëvendëskryeministër, para së gjithash, përgjegjës për Kodin e Etikës së Qeverisë, nuk kam marrë ankesa të tilla. Thashë që ka institucione që thirren për t’i shqyrtuar këto rregulla dhe zbatimin e tyre, shkeljet, shkeljet e mundshme të rregullave, ndër të cilat sigurisht është Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe ata kanë si mandatin ashtu edhe detyrën për të deklaruar dhe për të marrë masa adekuate në lidhje me shkeljet e mundshme.

Si përmbledhje, zëvendëskryeministri është i mendimit se zyrtarët qeveritarë kanë bërë çdo përpjekje për të mos u shfaqur gjatë orarit të tyre të punës dhe për t’u sjellë në mënyrë etike.

Sa i përket përdorimit të hapësirave publike, ai e pranon nevojën për ta rregulluar më tej çështjen ligjërisht.

“360 Gradë” iu drejtua drejtpërdrejt të dy partive politike, emrat e të cilave e dominojnë raportin, se kanë përdorur burime administrative gjatë zgjedhjeve.

VMRODPMNE dhe në VLEN i theksuam disa nga vërejtjet nga raporti preliminar dhe pyetëm nëse aktivitetet e zyrtarëve qeveritarë kontribuan në zgjedhjen e kandidatëve të VMRO-DPMNE dhe VLEN, si dhe nëse ata do të inicionin ndryshime në Kodin Zgjedhor që do ta rregullonin saktësisht se çfarë është e lejueshme të përdoret në formë të hapësirës publike ose në orarin e punës kur mund të zhvillohet fushatë.

Nga VMRODPMNE nuk morëm përgjigje, ndërsa nga VLEN thanë:

“Çdo vizitë në institucione publike, shkolla, ndërmarrje apo objekte komunale ishte në funksion të komunikimit me qytetarët dhe bazuar në nevojat e komunitetit lokal pa e ndërprerë punën e rregullt të institucioneve. Përmendja e funksioneve zyrtare në paraqitjet publike është një praktikë e zakonshme protokollare dhe nuk synon krijimin e një avantazhi elektoral. Projektet infrastrukturore që u promovuan janë pjesë e aktiviteteve të paracaktuara dhe nuk lidhen drejtpërdrejt me fushatën zgjedhore.”

Raporti final i detajuar pritet në shkurt të vitit të ardhshëm. Ai do të përmbajë rekomandime për politikanët, por konkretisht edhe për pushtetin ekzekutiv – si të parandalohet keqpërdorimi i burimeve administrative gjatë fushatave në të ardhmen.