Bartësi i listës së VLEN për Tetovën merr pjesë në aktivitetet e komunës kurse paguhet nga Ministria e Ekonomisë

Bartësi i listës për Komunën e Tetovës, Albi Qamili periudhën e fundit është parë shpesh në aktivitetet e Komunës së Tetovës. Kryetari i Komunës së Tetovës thotë se ai punon pa pagesë për komunën, ndërkaq Qamili në katër muajt e fundit ka marrë çdo muaj para nga Ministria e Ekonomisë, shkruan Portalb.mk. 

Javën e fundit, kandidati i VLEN-it për bartës liste në Komunën e Tetovës, Albi Qamili është parë në disa aktivitete të Komunës së Tetovës, të cilat mund të shihen në vetë pamjet e publikuara nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 

I pyetur nga Portalb.mk se në çfarë cilësie Qamili merr pjesë në aktivitetet e institucionit komunë si kandidat partiak, kryetari i Komunës së Tetovës u arsyetua. 

“Ai është bashkëpunëtor i imi i afërt, ka qenë edhe në të kaluarën edhe do vazhdojë të jetë. Tani më edhe unë jam kandidat për kryetar komune dhe në të njëjtën kohë kryetar, edhe ai është bashkëpunëtor i imi ia afërt që bën shërbime të ndryshme, domethënë angazhime të ndryshme në komunë dhe sigurisht është bartës i listës i VLEN-it”, tha Kasami. 

I pyetur se si e bëjnë dallimin midis aktiviteteve partiake dhe atyre institucionale, Kasami theksoi se të gjitha aktivitetet të cilat janë brenda orarit të punës, janë aktivitete të cilat kanë të bëjnë me shërbimet që i ofron Komuna e Tetovës, ndërsa jashtë orarit të punës janë aktivitete partiake. 

Por kur u pyet se për çfarë konkretisht është i angazhuar bartësi i listës së VLEN-it në Komunën e Tetovës dhe se a ka kontratë pune. Kasami tha se ai punon pa pagesë. 

“Po sigurisht që ka kontratë pune, por në këtë rast kontrata e tij është probono, pa pagesë”, tha Kasami. 

Portalb.mk e ka kërkuar edhe kontratën në formë zyrtare nga Komuna e Tetovës, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk morëm përgjigje. 

Përderisa siç thotë Kasami se Qamili punon pa pagesë në Komunën e Tetovës, ai ka marrë para nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, e cila udhëhiqet nga Besar Durmishi, kuadro i VLEN-it. 

Qamili në katër muajt e fundit ka marrë nga mbi 40 mijë denarë e sipër nga kjo ministri. 

Foto: Printscreen nga OpenFinance

Portalb.mk ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës se për çfarë është i angazhuar Qamili në këtë institucion, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk morëm përgjigje. 

Përndryshe, mijëra euro nga buxheti komunal i Tetovës në dy vitet e fundit kanë përfunduar në llogarinë e restorantit Primavera i cili është i afërt me pushtetin lokal dhe ku aty shpesh shihen aktivistët e Lëvizjes Besa dhe funksionarë. Megjithatë, Kasami i pyetur nga Portalb.mk, këto pagesa i arsyetoi se janë bërë për mysafirët që vijnë në Komunën e Tetovës për aktivitete të ndryshme dhe për Verën Kulturore Tetovare.