Zëri i Deshira Ahmetit bashkoi artin shqiptar dhe atë evropian në zemër të Vjenës
Sopranoja Deshira Ahmeti ka mbajtur koncert të veçantë në Vjenë. Me interpretim profesional dhe zë të fuqishëm, ajo solli në skenë një program artistik të përzgjedhur, i cili u prit me duartrokitje të gjata dhe reagime shumë pozitive, shkruan Portalb.mk.
Sopranoja Deshira Ahmeti për Portalb.mk tha se të performosh në Vjenë do të thotë të jesh pjesë e një kulture që e njeh dhe e nderon artin e vërtetë.
“Koncertin në Vjenë e përjetova si një nga më të bukurit dhe më të veçantët që kam realizuar deri më sot në qytetet evropiane. Për mua, Vjena është qyteti më i bukur i Evropës për artin dhe kulturën që frymëzon, për mënyrën se si arti respektohet dhe për vlerësimin e sinqertë që u bëhet artistëve në përputhje me nivelin e tyre artistik. Jam jashtëzakonisht e lumtur që arrita ta realizoj këtë koncert në një nga sallat më të njohura të këtij qyteti Palais Ehrbar, pikërisht në muajin e festave të fundvitit, kur rrugët shkëlqenin dhe atmosfera ishte magjike. Gjithçka që më rrethonte ishte e veçantë dhe kjo e bëri këtë përvojë edhe më të paharrueshme”, tha Ahmeti.
Ajo shtoi se publiku i Vjenës e bën çdo koncert të ndihet si një dialog i sinqertë mes artistit dhe artdashësit.
“Publiku ishte jashtëzakonisht i spikatur dhe njëkohësisht shumë i ngrohtë, duke krijuar një atmosferë të veçantë komunikimi mes skenës dhe sallës. Koncerti u nderua me praninë e ambasadorëve të vendeve të ndryshme, të ftuar nga Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Vjenë, Sh.T. Osvit Rosoklija, si dhe nga z. Aki Nuredini, biznesmen dhe personalitet i njohur, i cili njihet edhe si përkrahës i madh i artit dhe kulturës në qytetin e Vjenës. Të pranishëm ishin gjithashtu kritikë arti, personalitete të rëndësishme të kulturës austriake, si dhe artdashës nga radhët e bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në Vjenë”, tha Ahmeti.
Ajo theksoi se ky koncert i krijoi ndjesi të veçantë, ndryshe nga prezantimet e saj të deritanishme skenike, pasi programi përfshinte edhe vepra të njohura të autorëve gjermanë, disa prej të cilave i interpretoi për herë të parë.
“E veçanta e mbrëmjes ishte se e gjithë përmbajtja artistike u përcoll me një regji elegante dhe të menduar me kujdes për publikun. Në këtë koncert bashkëpunova me dy artistë të njohur nga Maqedonia e Veriut: oboistin dhe regjisorin Gjorgji Petrushevski, si dhe pianistin Jordan Petrushevski, i cili ndjek studimet master për piano në Vjenë. Së bashku realizuam përzgjedhjen e veprave dhe i përcollëm publikut një koncert vërtet të bukur dhe të kompletuar artistikisht. Natyrisht, nuk munguan as veprat e autorëve tanë shqiptarë, përfshirë “Valsi i lumturisë” nga Avni Mula”, tha Ahmeti.
Aji shtoi se pas këtij koncerti kanë marrë oferta të tjera, të cilat besojnë se do të realizohen, pasi mbrëmja u prit shumë mirë nga artdashësit në Vjenë.
“Gjatë vitit të ardhshëm planifikoj projekte të tjera të mëdha, si në vend ashtu edhe jashtë tij. Aktualisht jam në fazën përgatitore dhe synimi im mbetet që çdo paraqitje e ardhshme të sjellë risi dhe vlera të reja artistike”, përfundoi Ahmeti.