Nata e “Nostalgjisë” ë FIK bëri bashkë brezat dhe dhuroi spektakël, sonte finalja
Nata e tretë e Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH u shndërrua në një ngjarje të veçantë artistike, që shkoi përtej konkurrimit muzikor. Skena e Pallatit të Kongreseve u kthye në një udhëtim nostalgjik në kohë, ku këngët ikonike të muzikës shqiptare u sollën të riorkestruara, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionale për publikun, shkruan Portalb.mk.
Artistët konkurrues ndanë skenën me emra të njohur të muzikës shqiptare si Anxhela Peristeri, Eneda Tarifa, Elton Deda, Sidrit Bejleri, Jonida Maliqi, Kastriot Tusha, Vikena Kamenica dhe shumë të tjerë, duke ndërtuar një bashkëpunim simbolik mes brezave dhe duke rikthyer kujtesën kolektive muzikore.
Një nga momentet më të rëndësishme të mbrëmjes ishte fjala e Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH-së, Eni Vasili, e cila vlerësoi Festivalin e Këngës si një prej shtyllave kryesore të identitetit kulturor shqiptar, që ka mbijetuar dhe është forcuar përtej ndryshimeve politike dhe historike.
“Ndoshta këtu është realizuar ajo që politika do të kishte dashur prej kohësh: shqiptarët nga e gjithë bota janë mbledhur në Tiranë, në zemër të shqiptarisë. Ky festival do të jetojë gjatë”, u shpreh Vasili.
Ajo rikujtoi vitin 1972 dhe periudhën e viteve ’90, duke theksuar se kjo skenë ka reflektuar gjithmonë aspiratën e shqiptarëve për t’u ndjerë pjesë e Europës.
“Këtu ka ndodhur diçka unike: shqiptarët janë bashkuar. Nga të gjitha trevat kanë ardhur, kanë kënduar, kanë garuar dhe kanë qenë bashkë”, tha Vasili, duke falënderuar edhe të gjithë ata që për 64 vite kanë kontribuar në mbajtjen gjallë të këtij institucioni.
Në një risi të këtij edicioni, Çmimi i Karrierës nuk i’u dha një individi, por Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Drejtoresha e Përgjithshme e cilësoi orkestrën si “xhevahirin e çdo festivali”, pa të cilën realizimi i këtij eventi do të ishte i pamundur.
Çmimin e tërhoqi drejtoresha e Orkestrës, Blerta Ristani, e cila u shpreh e emocionuar:
“Jam shumë e nderuar në emër të 65 muzikantëve. Ata ushtrojnë profesionin më të bukur në botë. Kjo është magjia e të bërit muzikë së bashku”.
Edicioni i 64-të u vlerësua maksimalisht edhe nga anëtarët e jurisë. Kompozitori Zef Çoba e cilësoi Festivalin e Këngës si ngjarjen më të madhe artistike të vitit, ndërsa Valentin Veizi, i rikthyer në këtë sallë pas 28 vitesh, u shpreh se nga ky edicion pritet të lindin këngë që do të mbeten gjatë në kujtesën e publikut.
Pas dy netëve intensive të garës, juria e Fest 64 ka shpallur këngëtarët debutues që do të vazhdojnë në natën finale. Nga 10 debutues që konkurruan, 5 prej tyre kanë arritur të sigurojnë vendin e tyre në garën për çmimin e madh:
- Ghiti me këngën “Okej”.
- Endri Kaçaçi me këngën “Si unë”.
- Rigersa Loka me këngën “Albanina Heart”.
- Savjana Vjerdha me këngën “Dimër për dimër e vjeshtë për vjeshtë”.
- Sheila me këngën “Zemra e tokës”.
Nata finale e Fest 64 pritet të jetë kulmi i këtij edicioni, duke sjellë në skenë performanca të paharrueshme, emocione të forta dhe një rivalitet të ashpër mes artistëve për çmimin e madh. Pas netëve të mbushura me muzikë cilësore dhe interpretime që kanë fituar zemrat e publikut, finalistët do të japin maksimumin për të bindur jurinë profesionale dhe audiencën.
Tashmë, vëmendja është përqendruar te nata finale e Festivalit të 64-të të Këngës, ku do të shpallet fituesi dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në Evrovizion.
Ashtu si netët e mëparshme, edhe finalja transmetohet drejtpërdrejt në RTSH dhe RTK.