Rikonstruimi i pushtetit pritet të përfundojë deri në fund të nëntorit, në dhjetor takim i liderëve të koalicionit
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se zgjedhjet në Bërvenicë nuk ndikojnë në marrëveshjen me koalicionin VLEN për pozitat në pushtetin ekzekutiv. Rikonstruimi i pushtetit në nivelin e dytë dhe të tretë pritet të përfundojë deri në fund të nëntorit, ndërsa në dhjetor është dakorduar të mbahet një takim i liderëve të koalicionit qeverisës, transmeton Portalb.mk.
I pyetur nëse VLEN do të marrë më pak pozita gjatë rikonstruimit pas zgjedhjeve në Bërvenicë, Mickoski iu referua fjalës së dhënë dhe marrëveshjes me koalicionin, për të cilën përmendi vitin 2028, kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare.
“Në jetë është e rëndësishme fjala e dhënë dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme se fjala e dhënë”, tha Mickoski.
Ai shtoi se, kur arrin një marrëveshje dhe jep fjalën, i përmbahet asaj.
“Unë, në parim, si njeri, kur merrem vesh dhe kur jap fjalën, e mbaj atë. Nuk ka lëvizje majtas-djathtas”, deklaroi kryeministri.
Sa u përket ndryshimeve kadrovike, Mickoski tha se ka biseduar me liderët e VLEN-it dhe se janë përcaktuar disa pozita që i vlerësoi si të rëndësishme për shtetin. Sipas tij, propozimet duhet të konkretizohen më tej në komisionet kadrovike të partive.
“Kemi pasur bisedë me liderët e VLEN-it dhe vendosëm që, pasi përcaktuam disa pozita që janë të rëndësishme për shtetin, në periudhën në vijim, në komisionet kadrovike të partive, të kristalizohen këto propozime”, tha Mickoski.
Ai rikujtoi se më herët kishte përmendur tetorin si afat për rikonstruimin, por për shkak të ngjarjeve të shumta që kanë ndodhur, pret që ai të përfundojë në nëntor.
Lidhur me takimin e liderëve të koalicionit, Mickoski deklaroi se tashmë është arritur marrëveshje që ai të organizohet në dhjetor.
“Kemi biseduar për mbajtjen e një takimi të liderëve të koalicionit dhe jemi dakorduar që një takim i tillë të organizohet gjatë muajit dhjetor”, tha ai.
Mickoski komentoi edhe deklaratën e kryetarit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, se mund të largohet nga Qeveria nëse provimi i jurisprudencës mbahet në gjuhën shqipe. Kryeministri tha se vendimi i takon Dimitrievskit, duke përsëritur qëndrimin e tij se Qeveria është stabile.