“Nuk ka paaftësi më të madhe sesa ajo për ta parë një njeri përtej paaftësive që ka.”
Robert M. Hensel
Pra paaftësia më e madhe e një njeriu është që të shohë kufizimet e një individi dhe jo person(alitet)in e tij, të vërejë vetëm kufizimet dhe jo potencialet e vlerat e një njeriu. Më 12 nëntor, në UEJL, nën organizimin e “Bibliotekës MV der Stoel”, Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Ministrisë së Kulturës, NP “Transporti Publik” dhe ShF “Liria” Tetovë, aktivistes së mirënjohur E.A., u zhvillua një event special, shumë i ndryshëm nga të gjithat e ekzistencës 25-vjeçare të këtij universiteti. Ishte ky një festival përmbyllës, “Krijimtari inkluzive” i projektit dy muajësh (3 fokus grupe, përfshirë prindërit dhe edukatorët), të realizuar nga studentët e psikologjisë, që në epiqendër ka pasur fëmijët me aftësi ndryshe apo me nevoja të veçanta.
Atë ditë sipari u hap për një kategori qytetarësh që janë shpirti jonë, u bë një përpjekje për të publicizuar dhe afirmuar shkathtësitë e fëmijëve me nevoja të veçanta të cilët për shkak të kulturës së sonë anakronike s’kemi arritur t’i bëjmë pjesë e jetës sonë reale. Ende s’ia kemi dalë t’i tejkalojmë paragjykimet tona, mbyllësinë familjare dhe publike ndaj kësaj kategorie relevante sociale që kaë nevojë për përkujdesje, mbështetje, krah ledhatues e shtytës për t’u integruar në rrjedhat sociale si gjithë ne të tjerët.
Në këtë ndodhi ku defiluan me performancën e tyre artistike dhe edukativo-arsimore persona me aftësi të ndryshme që ditës i dhanë një ngjyrë tjetërfare, kolorit e ndjesi të paparë. E mërkura e madhe, e mërkura e bekuar ishte kjo. Sentenca kyç e këtij eventi lumturues ishte “Të gjithë së bashku t’i përkrahim fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të ndryshme, të vlerësojmë krijimtarinë e tyre dhe të japim mesazhin që të gjithë meritojnë hapësirë për të shkëlqyer.” Një ngjarje fascinante për çdo shpirt të gjallë, mbresëlënëse. Apogje emocionesh. Lotë nga gjithë amfiteatri i madh, i stërmbushur. Monolog, poezi, vallëzim, piktura origjinale… Pasqyrim i vetes në mënyrën më të natyrshme. Performancë 100 % natyrale, pa shtirje, siç buron nga brendësia, më e mira e asaj që ka falë Perëndia. “Më ndihmo të shfaqem”, “Edhe unë jam si ti”, “Dancer United”, DS Crew… Eliza, Veliu, Ajani, Abdyrahmani, Vildani dhe Nora na kujtuan me ndjeshmëri se secili prej nesh meriton të ndjehet i kuptuar, i vlerësuar dhe i mbështetur.
Për dy orë dolëm nga bota jonë dhe jetuam një botë tjetër, që është gjithashtu e jona, që duhet të jetë e jona, sepse këta engjëj këto qenie të virgjëra, të dëlira, i kemi në mesin tonë, në shtëpi, në komshillëk, në farefisni, gjithandej. Sipas të dhënave të vitit 2023 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) rreth 1.3 miliardë njerëz në botë i përkasin këtij grupi, që do të thotë 16%-shi i gjithë popullatës globale, ose 1 në 6 persona, numbër ky në rritje e sipër.
Shtetet kanë detyrime sipas së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, dhe në disa raste sipas ligjeve vendore, për të adresuar pabarazitë shëndetësore me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara. Dy kornizat më të rëndësishme ndërkombëtare që lidhen me barazinë në shëndet për këtë grup janë: Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD) që kërkon që shtetet palë të sigurojnë që personat me aftësi të kufizuara të kenë të njëjtin diapazon, cilësi dhe standard të kujdesit shëndetësor falas ose të përballueshëm si të tjerët. Rezoluta e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë WHA74.8, mbi standardin më të lartë të mundshëm të shëndetit për personat me aftësi të kufizuara: kërkon që shtetet anëtare të sigurojnë që personat me aftësi të kufizuara të marrin shërbime shëndetësore efektive si pjesë e mbulimit universal shëndetësor; mbrojtje të barabartë gjatë emergjencave; dhe qasje të barabartë në ndërhyrjet ndërsektoriale të shëndetit publik.
Kjo është korniza formale, por ka diçka që është më e fuqishme se kjo. Aspekti human, empatik. Profeti Muhamed, ka sjellë parime etike që rregullojnë sjelljen e njerëzve të shëndoshë ndaj personave me aftësi të kufizuara. Në një hadith, udhëzimi i një të verbri, shpjegimi i fjalëve një të shurdhi dhe memeci është vlerësuar si lëmoshë (sadaka).” (Ibn Hanbel, V, 169) I Dërguari, Muadhin me mangësi ortopedike e ka emëruar guvernator në Jemen, kurse Abdullahun e verbër ia ka caktuar ushtrues detyre.
Fletorja historike shënon shumë njerëz të famshëm me aftësi të kufizuara por të suksesshëm në jetë: Andrea Bocelli (tenor i verbër), Stevie Wonder (muzikant i verbër), Whoopie Goldberg (komediane me disleksi), Selma Blair (aktore me multiple sklerozë), Thomas Edisoni (zbulues dhe afarist, me disleksi), F.D. Roosewelt (politikan, me paralizë polio), Nikola Tesla (inxhinier, thuhet se ka pasur elemente të autizmit), Nick Vujçiq (pa të dyja gjymtyrët, ligjërues motivues), Gretha Thurnberg (aktiviste), e shpallur sipas Forbes (2019) si një nga 100 njerëzit më të fuqishëm në botë (me sindromën Asperger, autism spectrum condition; ASC) dhe shumë të tjerë.
Tiparet e bashkëlindura nuk i zgjedhim vetë, andaj nuk paraqesin komplekse. Duhet punuar vazhdimisht për të rrokur ritmin e jetës me atë që na është falur. Njerëzve me aftësi të veçanta duhet qasur në mënyrë inkluzive dhe afirmative, ata nuk guxojmë t’i getoizojmë, t’i margjinalizojmë, por duhet tentuar që të nxjerrim më të mirën e tyre në pah që edhe ata ta shijojnë jetën si gjithë ne, ndoshta edhe më mirë. Çdokush meriton përkëdhelje, mëshirë, dashni, përfshirje, vlerësim. Stratifikimi i njerëzve në bazë të dukjes dhe afiniteteve është antihuman, është i padinjitetshëm, dekurajues. Çdo gjallesë e qenie është pjesë e jona, e kozmosit, andaj duhet trajtuar si veten tonë. Zemrat e veçanta meritojnë shumë më tepër sesa ajo që bëjmë. Institucionet duhet t’iu kushtojnë më tepër kujdes atyre. Dhe në fund: çdo lëvdatë është e paktë për prindërit që bashkëfrymojnë me këto zemra!
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.