Metamorfozis dhe IDEA do të prezantojnë raportin e manipulimit të informacionit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut

Fondacioni Metamorfozis dhe Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore (International IDEA), do të prezantojë raportin “Faktorët që mundësojnë dhe nxisin manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut”, të mërkurën më 19 nëntor 2025, shkruan Portalb.mk.

Ngjarja organizohet në Hotel Holiday Inn në Shkup me fillim nga ora 10 dhe do të zgjasë deri në ora 14:00.

Më pas në këtë ngjarje do të hapet dialogu me palët e interesuara në temën e faktorëve që mundësojnë dhe nxisin manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut.

Ky aktivitet synon të prezantojë gjetjet e raportit, i cili zbaton metodologjinë globale të zhvilluar nga International IDEA për analizimin e manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj të informacionit (FIMI) në proceset zgjedhore, duke e përshtatur atë në kontekstin e Maqedonisë së Veriut.

Ngjarja synon gjithashtu të bashkojë përfaqësues nga institucionet qeveritare, shoqëria civile, akademia, media dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky aktivitet do të jetë pjesë e Javës së Edukimit Mediatik, e mbështetur nga Rrjeti lokal për Edukim Mediatik dhe Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale.

Gjuhët e punës së ngjarjes do të jenë maqedonishtja, shqipja dhe anglishtja, me përkthim simultan të siguruar.