Votimi i diasporës thelloi përplasjet politike në RMV, partitë larg marrëveshjes për Kodin Zgjedhor

LSDM nuk e pranon propozimin e pushtetit që partitë opozitare të bien dakord për të gjitha kërkesat lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në këmbim të mundësimit të votimit të diasporës. Deputetja Jovana Trençevska tha se kjo është shenjë e panikut të pushtetit, i cili, sipas saj, po përpiqet të miratojë në mënyrë të njëanshme një ligj që do të zbatohej vetëm në vitin 2029, transmeton Portalb.mk.

“Ne i diskutojmë këto çështje brenda koalicionit tonë, nuk kemi koalicion me partitë e tjera opozitare në Parlament. Miratimi i Kodit Zgjedhor është obligim i pushtetit dhe ai duhet të gjejë një model, t’i ulë në një tryezë të gjitha partitë politike dhe të zhvillojë bisedime për të arritur një zgjidhje që do të ketë konsensus”, deklaroi Trençevska.

Lidhur me diasporën, ajo theksoi se mërgimtarët votojnë edhe tani, por sipas LSDM-së, modelet që propozon pushteti lënë hapësirë për manipulime zgjedhore.

“Në fillim ishte votimi elektronik, e pasi nuk kaloi, tani propozohet votimi me postë – të dy modelet janë sipas masës së tyre për vjedhje të përsosur të votave. Diaspora voton edhe tani dhe ne jemi plotësisht përfshirës që ajo të marrë pjesë në të gjitha proceset zgjedhore, por miratimi i një ligji në këtë mënyrë, pa konsensus dhe pa mekanizma mbikëqyrës, për t’u zbatuar nga viti 2029, është i papranueshëm për ne. Duhet të ulemi, të diskutojmë, të shqyrtojmë përvojat evropiane dhe më pas të përcaktojmë modelin e votimit të diasporës dhe të qytetarëve që jetojnë në Maqedoni për zgjedhjet e vitit 2029”, tha Trençevska.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE deklaron se është e gatshme të pranojë çdo marrëveshje që do të arrijnë partitë opozitare mes tyre, pasi, sipas kësaj partie, kërkesat e tyre janë të ngjashme, por kërkon mbështetje për votimin e diasporës.

“Shohim se platformat e tyre janë të njëjta, por dallojnë në detaje. Le të bien dakord për një njësi zgjedhore, për modelin e financimit, për ankesat dhe mënyrën e trajtimit të tyre, si dhe për modelin e votimit të diasporës. Çfarëdo propozimi që këto parti opozitare do të na dorëzojnë në formën e një teksti të harmonizuar të ligjit, ne do ta pranojmë”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski.

Më herët, nga Levica deklaruan se propozimi i tyre është një njësi e vetme zgjedhore dhe që diaspora të votojë me postë vetëm në zgjedhjet presidenciale. Lidhur me idenë e harmonizimit të qëndrimeve mes partive opozitare, nga kjo parti thanë se nuk e dinë se si do të realizohej një gjë e tillë.

Ndërkaq, BDI akuzoi se, edhe pse si pjesëmarrëse në grupin e punës kishte miratuar një version-draft të ndryshimeve, VMRO-DPMNE është tërhequr nga dy pika thelbësore të marrëveshjes për Kodin Zgjedhor.

“Pas dorëzimit të propozimit në Kuvend, VMRO-DPMNE u tërhoq nga dy pika kyçe të marrëveshjes: së pari, nga votimi elektronik i diasporës, duke kërkuar që votimi të zhvillohet me postë, dhe së dyti, nga dakordimi që aktet nënligjore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve lidhur me votimin elektronik të diasporës të miratohen me konsensus, duke kërkuar që ato të miratohen me shumicë votash. Për ne kjo është e papranueshme”, deklaroi deputetja e BDI-së, Rina Ajdari.

Kryetari i Lidhjes së Shqiptarëve, Zijadin Sela, tha se partia e tij angazhohet që diaspora të ketë të drejtën të votojë si elektronikisht ashtu edhe me postë në të gjitha ciklet zgjedhore, e jo vetëm në zgjedhje të caktuara.

“Ne insistojmë që diaspora të ketë të drejtë të votojë elektronikisht ose me postë në zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale. Ne do ta bllokojmë Komisionin dhe nuk do të lejojmë që ky Kod Zgjedhor të miratohet”, deklaroi Sela.

Kryeministri Hristijan Mickoski ditët e fundit shprehu shpresën se mosmarrëveshjet me opozitën mund të tejkalohen dhe se deri më 15 korrik mund të gjendet një zgjidhje. Ai deklaroi se Qeveria dhe VMRO-DPMNE janë të gatshme të pranojnë një njësi të vetme zgjedhore, madje edhe kërkesën e Levicës për më shumë mjete financiare për fushatat e partive më të vogla, nëse kjo do të mundësonte miratimin e Kodit të ri Zgjedhor.

Sipas informacioneve, pjesëmarrësit në grupin e punës për Kodin Zgjedhor kanë arritur pajtueshmëri lidhur me modelin për shpërndarjen e mjeteve buxhetore të dedikuara për zgjedhjet.

Siç duket, Kodi Zgjedhor me shumë gjasa nuk do të përfshihet në ligjet reformuese të zbatuara për të cilat Maqedonia duhet të paraqesë raport në Komisionin Evropian më 15 korrik mbi atë që është bërë deri në fund të 30 qershorit. Kodi Zgjedhor do të mbetet i pazbatuar, njoftoi ditë më parë kryeministri Hristijan Mickoski.

Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.

Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.