Kur u kërkojnë mito zyrtarët ose funksionarët, qytetarët denoncojnë në prokurorinë për krim të organizuar, më rrallë në MPB
Për një javë, dy qytetarë anonimë kanë raportuar drejtpërdrejt në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit se zyrtarë, përkatësisht funksionarë, u kanë kërkuar ryshfet. Prokuroria i kapi menjëherë me para të shënuara. Bëhet fjalë për shoferin e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, dhe të enjten edhe për një drejtor në Doganë, të cilit iu gjetën 17.500 euro, shkruan SDK transmeton Portalb.mk.
Më parë, qytetarët denonconin më shumë në polici, ndërsa tani, për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë të kryera nga njerëz në pushtet, më shpesh u drejtohen Prokurorisë për Krim të Organizuar.
Një qytetar – pronar i një kompanie për import dhe eksport të plehrave artificiale – e denoncoi drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Vase Anakiev, se i kërkonte 100.000 euro ryshfet. Prokuroria e kapi në flagrancë, ndërsa Anakiev, nga Partia Socialiste në pushtet, aktualisht po gjykohet në Gjykatën Penale të Shkupit.
Më herët, një qytetar denoncoi në Prokurorinë për Krim të Organizuar se, për të dalë më lart në listën për fondet IPARD, edhe pse nuk i plotëson kushtet, duhej të paguante në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural të RMV-së, përmes një rrjeti të organizuar. Edhe për këtë rast po zhvillohet proces gjyqësor ndaj drejtorit të atëhershëm të Agjencisë dhe disa personave fizikë e juridikë, ndërsa ndërmjetësuesja kryesore përmes së cilës bëhej marrja e ryshfetit e pranoi fajin dhe u dënua.
Ndërkohë, në Prokurorinë për Krim të Organizuar, avokati tashmë i dënuar Fehmi Stafa, ish-epror i bashkëshortes së gjyqtarit Gjoko Ristov në Prokurorinë Shtetërore, denoncoi se 50.000 eurot e gatshme me të cilat ishte kapur ishin për gjyqtarin Ristov, nga motra e të akuzuarit Lupço Pecov-Gjavollit, për të cilin ky gjyqtar kishte marrë vendime në një pjesë të procedurës. Kjo e çoi hetimin deri te shtëpia e familjes Ristovi në Negotinë, ku në murin e kuzhinës, në një zgavër, u zbuluan 350.000 euro të murosura, pa mbulim të ligjshëm. Edhe ndaj Gjoko Ristovit aktualisht po zhvillohet proces gjyqësor.
Duke vepruar mbi bazën e një denoncimi nga një qytetar, një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, të enjten arrestoi ndihmës-drejtorin e Sektorit për Çështje Administrative-Teknike në Drejtorinë e Doganave, J.I. (63), nga Shipkovica.
Në bazë të provave të mbledhura deri tani, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprat penale “Marrje ryshfeti” dhe “Marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”.
Gjatë periudhës prill/maj deri në shtator 2026, i dyshuari, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, në disa raste ka kërkuar dhe marrë para në shumën totale prej 17.500 eurosh. Një pjesë e shumës, 7.500 euro, ishte kërkuar dhe marrë në lidhje me një kontratë tashmë të lidhur për prokurim publik për nevojat e Drejtorisë së Doganave, me qëllim që kontrata të vazhdonte të zbatohej pa pengesa dhe pa rrezik anulimi.
Gjithashtu, në lidhje me një procedurë tjetër të prokurimit publik, e cila ishte objekt i një procedure ankimore, i dyshuari kishte kërkuar edhe 10.000 euro, duke pretenduar se kishte ndikim mbi vazhdimin e procedurës. Sipas provave të mbledhura, në këmbim ai duhej të ndikonte në procedurën ankimore dhe të vepronte lidhur me kushtet dhe specifikimet teknike.
Pasi mori paratë, ai u ndalua nga policia, por nuk u ndal dhe goditi një polic dhe një automjet policie. Gjatë arratisjes, çantën me paratë e hodhi nga dritarja. Më vonë, drejtori në Doganë u kap dhe u ndalua në paraburgim.
Denoncimi i qytetarit i mundësoi Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion që të ndërmerrte në kohë veprimet ligjore për verifikimin e pretendimeve, sigurimin e provave dhe realizimin e aksionit.
“Për më pak se një javë, ky është rasti i dytë në të cilin Prokuroria veproi mbi bazën e një denoncimi nga qytetari dhe ndërmori veprime që rezultuan me realizim të suksesshëm. Raste të tilla konfirmojnë rëndësinë e bashkëpunimit mes qytetarëve dhe institucioneve kompetente në zbulimin dhe ndjekjen në kohë të veprave penale korruptive. Prokuroria i inkurajon qytetarët që kanë njohuri ose informacione për veprime të mundshme korruptive t’i raportojnë ato te organet kompetente. Çdo informacion i bazuar verifikohet me vëmendjen e duhur, ndërsa identiteti dhe të dhënat personale të personave që raportojnë mbrohen në përputhje me mundësitë ligjore dhe nevojat e procedurës”, bëri thirrje dje Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.
Vetëm gjashtë ditë më parë, më 6 shtator, një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vepruar mbi bazën e një kallëzimi penal të dorëzuar nga Njësia për Korrupsion pranë Byrosë për Siguri Publike, nxori urdhër për zhvillimin e një procedure hetimore ndaj një personi të punësuar në Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale “Marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”.
Procedura u iniciua pas denoncimit të një qytetari, të cilit i dyshuari, gjatë periudhës nga 24 korriku deri më 4 shtator 2026, i kishte kërkuar 1.500 euro për të shfrytëzuar ndikimin e tij të supozuar. I dyshuari, i cili punonte si shofer i një funksionari të lartë qeveritar, i kishte premtuar të dëmtuarit se do të ndërmjetësonte te zyrtarët e Qytetit të Shkupit lidhur me punësimin pas shpalljes së konkursit për pranimin e zjarrfikësve.
Pas denoncimit, organet kompetente, në koordinim me prokurorin përgjegjës për rastin, ndërmorën veprime për sigurimin e provave. Më 4 shtator 2026, i dyshuari u kap në momentin kur po merrte 500 euro, si pjesë e shumës së kërkuar prej 1.500 eurosh. Paratë paraprakisht ishin shënuar.