Kodi Zgjedhor i RMV-së ngeci te votimi elektronik i diasporës

Propozim-ndryshimet e Kodit Zgjedhor po hyjnë në procedurë parlamentare me një bllokadë të paralajmëruar nga opozita, pasi LSDM njoftoi se nuk do të lejojë që ligji të miratohet në formën e propozuar për shkak të dispozitave për votimin elektronik të diasporës. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se kryeministri Hristijan Mickoski ka qenë i gatshëm të pranonte ndryshime në propozimin e paraqitur për gjithçka përveç se për votimin e diasporës. Sipas Filipçes kjo pjesë është arsyeja se pse LSDM po e bllokon ligjin dhe dorëzon dhjetëra mijëra amendamente, transmeton Portalb.mk.

“Kryeministri do pranonte ndryshime në propozimin e dorëzuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për gjithçka përveç se për votimin e diasporës. Kryeministri këmbëngul që kjo të mbetet në ligj. Pikërisht kjo mënyrë e votimit të diasporës për ne nuk është as evropiane dhe as demokratike. LSDM nuk pajtohet që ky propozim të kalojë kështu”, tha Filipçe.

Ndryshimet e propozuara parashikojnë që qytetarët që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit në vend të përfaqësive diplomatike dhe konsullore të votojnë në mënyrë elektronike përmes sistemit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Sipas tekstit të propozim-ligjit votimi elektronik nga jashtë vendit do të zbatohej duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme të rregullta presidenciale, ndërsa modeli ekzistues i votimit në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore do të mbetej në fuqi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Filipçe vlerësoi se një zgjidhje e tillë hap mundësi për abuzime dhe se vendi nuk duhet të hyjë në një sistem që, sipas tij, nuk mund të kontrollohet mjaftueshëm.

“Propozohet të votohet në mënyrë elektronike, diçka që kanë tentuar ta zbatojnë shumë vende më të zhvilluara se tonat, si Franca, por pasi e kuptuan se nuk funksiononte me kontrollin e duhur e tërhoqën. Diaspora jonë, nuk e dimë sa mijëra njerëz janë, e kjo hap mundësi për abuzime, siç është për shembull një person të votojë për disa persona”, tha Filipçe.

Ai e parashtroi pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse sistemi do të hakohej para ditës së zgjedhjeve ose në ditën e votimit dhe se kush do ta garantonte legjitimitetin e rezultateve.

“Si do ta kontrollojmë nëse nesër në një sistem votimi elektronik plotësisht të sigurt siç është ky i propozuar nga VMRO-DPMNE, sistemi hakohet para ditës apo në vetë ditën e votimit? A do të dështojnë zgjedhjet? Kush do ta garantojë rezultatin?”, pyeti Filipçe.

Sipas tij nuk ka arsye për të shpejtuar me një ndryshim të tillë, sidomos sepse zbatimi i votimit elektronik është planifikuar vetëm për zgjedhjet presidenciale në vitin 2029. Filipçe propozoi që pjesa e diskutueshme të hiqet nga ligji dhe për të të formohet një grup pune i posaçëm i përbërë nga ekspertë.

“Ja, le ta heqin atë pjesë të ligjit. Gjithsesi propozohet që kjo të zbatohet nga zgjedhjet presidenciale në vitin 2029. Le të formohet një grup pune ekspertësh që do të punojë për atë propozim, e pastaj mund ta zbatojmë nëse sigurohemi që sistemi është i mirë”, tha Filipçe.

Ai e vendosi kontestin edhe në një kontekst më të gjerë politik, duke vlerësuar se qeveria nuk ka kredibilitet që të kërkojë besim për një sistem të tillë, sepse, siç tha ai, bëhet fjalë për një parti “që është e njohur për abuzime të procesit zgjedhor”. Filipçe e akuzoi VMRO-DPMNE-në se nuk përgjigjet në pyetjet konkrete lidhur me sigurinë, kontrollin dhe abuzimet e mundshme.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski paraprakisht deklaroi se VMRO-DPMNE i kishte pranuar të gjitha kërkesat e partisë më të vogël opozitare “E Majta” në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përfshirë këtu edhe kërkesën për financimin e partive politike në fushatën zgjedhore. Ai tha se qeveria ishte e gatshme të pranonte edhe dy nga kërkesat e LSDM-së, por jo edhe të heqë dorë nga votimi elektronik i diasporës. Mickoski u përqendrua sërish tek kërkesat e partisë “E Majta”, ndërsa më pak deshte të flasë për sigurinë e votimit elektronik në diasporë, që është kërkesë e LSDM-së, duke tentuar që t’i fusë në të njëjtin kosh dy partitë opozitare që kanë vërejtje të ndryshme për Kodin Zgjedhor.

“Gjithçka u dakordua, gjithçka u konfirmua, praktikisht të gjitha kërkesat e tyre u përfshinë në vetë Kodin Zgjedhor, sidomos kur bëhet fjalë për partinë “E Majta”. Në ditën kur duhej të nënshkruhej propozimi dhe t’u dorëzohej deputetëve, qëndrimi i partisë ishte se ata nuk do ta nënshkruanin, se nuk do ta bojkotonin, por nuk do ta nënshkruanin. Gjithçka që kërkuan u pranua”, tha Mickoski.

Ai e akuzoi partinë “E Majta” për sjellje jo parimore dhe kalkulime politike, të cilave më vonë iu bashkua LSDM-ja për ta bllokuar miratimin e Kodit Zgjedhor përmes filibasteringut.

Mickoski tha se qeveria është e gatshme të pranojë amendamente nga LSDM-ja për mënyrën e votimit, përkatësisht që në vend të numrit të rrethohet emri i kandidatit, si dhe për ankesat paszgjedhore nga vëzhguesit dhe përfaqësuesit e autorizuar.

“Në rregull. Le të dorëzojnë amendament, ne do ta pranojmë menjëherë nëse ky është problemi. Kjo nuk është kërkesa jonë, ka procesverbale të mbledhjeve, ata mund ta lexojnë se e kujt është kërkesa. Sa i përket ankesave pas zgjedhjeve nga vëzhguesit dhe përfaqësuesit e autorizuar, ja, le të dorëzojnë një amendament, që nesër do ta pranojmë “, tha Mickoski.

Sipas Kryeministrit e vetmja çështje nga e cila qeveria nuk heq dorë është mundësia që në zgjedhjet e ardhshme presidenciale diaspora të votojë në mënyrë elektronike. Ai e arsyetoi këtë me dy argumente: se zgjedhja për president lidhet me cenzusin dhe se modeli aktual i dërgimit të komisioneve zgjedhore në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore është financiarisht i paleverdisshëm.

“Qëllimi ynë ishte që t’i zvogëlojmë ato shpenzime, t’i mundësojmë diasporës të votojë në mënyrë elektronike në epokën e inteligjencës artificiale kur kemi dhjetëra shembuj të tillë në vendet demokratike anembanë botës”, tha Mickoski.

Sipas propozim-ndryshimeve të dorëzuara në Kuvend sistemin për votim elektronik nga jashtë vendit duhet ta vendosë, menaxhojë, mirëmbajë dhe mbikëqyrë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Parashikohet që votuesit nga jashtë vendit paraprakisht të duhet të regjistrohen për votim elektronik dhe të regjistrohen në një ekstrakt të veçantë elektronik nga Lista e Votuesve. Aplikimi do të bëhej në mënyrë elektronike, ndërsa identiteti i votuesit do të verifikohej përmes të paktën dy mekanizmave të pavarur të verifikimit.

Propozimi parasheh edhe një shqyrtim të pavarur teknik dhe të sigurisë të sistemit para përdorimit të tij në zgjedhje, si dhe mundësinë për një provë, simulim dhe testim publik me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të autorizuar të parashtruesve të listave, vëzhguesve vendas dhe atyre ndërkombëtarë. Në rast të një incidenti teknik ose të sigurisë që mund të ndikojë në disponueshmërinë, konfidencialitetin ose integritetin e votës, KSHZ-ja mund të pezullojë dhe shtyjë përkohësisht votimin elektronik, më së shumti për 72 orë.

Por, pikërisht fakti që KSHZ-ja duhet edhe që, me anë të një akti nënligjor, ta rregullojë mënyrën e votimit elektronik është një nga argumentet e opozitës. LSDM beson se një sistem i tillë nuk duhet të futet në ligj pa i definuar më parë plotësisht mekanizmat mbrojtës, kontrollin, verifikueshmërinë dhe përgjegjësinë në rast të një incidenti.

Përveç votimit elektronik të diasporës ndryshimet në Kodin Zgjedhor parashikojnë edhe ndërhyrje të tjera të mëdha. Një ndër ato është ndalesa për zyrtarët që t’i përdorin profilet institucionale ose profilet e tyre zyrtare në rrjetet sociale gjatë fushatës zgjedhore për t’i mbështetur, promovuar ose diskredituar pjesëmarrësit në zgjedhje.

Ky vendim vjen pas vërejtjeve shumëvjeçare se kanalet zyrtare dhe institucionale shpesh përdoren për promovim politik. Në analizën për komunikimin institucional dhe komunal në Facebook dhe faqet zyrtare gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2025 të realizuar nga Fondacioni “Metamorfozis” u vu re se pothuajse 60 përqind e përmbajtjes së analizuar në faqet zyrtare në Facebook ka qenë me karakter promovues, ndërsa vetëm rreth 40 përqind kanë qenë postime informative neutrale. Në të njëjtin raport thuhet se profilet e zyrtarëve të lartë kryesisht janë përdorur si platforma për fushatë zgjedhore.

Propozim-ndryshimet parashikojnë edhe një prag të ri për listat e pavarura. Për një listë kandidatësh për deputetë të dorëzuar nga një grup votuesish, si dhe për kandidaturat e pavarura për këshilltarë dhe kryetarë të komunave, do të nevojiten të paktën 0,8 përqind e nënshkrimeve të votuesve të regjistruar në zonën zgjedhore, gjegjësisht në komunë.

Kjo pjesë e ligjit u kritikua edhe nga iniciativat e pavarura, të cilat në ditët e fundit kërkuan trajtim të barabartë me partitë politike dhe përfshirje në procesin e vendimmarrjes për ndryshimet. “E majta” njoftoi se do ta bllokojë Kodin Zgjedhor nëse në të mbeten zgjidhjet të cilat partia i konsideron si politikisht diskriminuese, sidomos në pjesën e financimit të fushatës, kushteve për kandidatët e pavarur, bilbordeve dhe atë për një zonë zgjedhore.

Në pjesën e financimit, propozim-ligji parasheh që mjetet për reklama politike të paguara të mos e kalojnë shumën prej dy eurosh me kundërvlerë në denarë për votues të regjistruar, pa TVSH, ndërsa për zgjedhjet lokale nga një euro shtesë për raundin e dytë. Sipas tekstit maksimum 45 përqind e mjeteve do mund të përdoren nga dy partitë më të mëdha në pushtet, maksimum 45 përqind nga dy partitë më të mëdha të opozitës, maksimum 7 përqind nga partitë parlamentare që nuk kanë deputetë të mjaftueshëm për një grup parlamentar dhe maksimum 3 përqind nga partitë që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend ose nga kandidatët.

Me propozimin rregullohen edhe limitet për donacionet në fushatë zgjedhore. Një person fizik mund të dhurojë maksimum 6.000 euro me kundërvlerë në denarë, ndërsa një person juridik maksimum 50.000 euro. Nëse donacioni është më i madh se shuma e lejuar, diferenca duhet të kalojë në Buxhet.

Propozim-ligji miratohet me procedurë të shkurtuar, ndërsa në arsyetim thuhet se ndryshimet janë pjesë e reformave në legjislacionin zgjedhor, përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe detyrimeve të ndërmarra në kuadër të Agjendës së reformave të vendit. Afati i fundit për miratimin e ligjit për përmbushjen e Agjendës së reformave dhe Planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor ishte dje, 1 korriku i vitit 2026.