SHGM dhe IMM prezantuan Kodin e ri për Gazetarët me rregulla për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe raportimin

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Instituti Maqedonas për Media (IMM) dhe Këshilli për Etikë në Media (KEMM) publikuan sot Kodin e ri të Gazetarëve, të përditësuar pas një procesi pune të zhvilluar nga një grup i përbërë nga përfaqësues të këtyre organizatave, transmeton Portalb.mk.

Kodi i ri përfshin udhëzime për përdorimin e inteligjencës artificiale në gazetarinë e përditshme, raportimin për rastet e vetëvrasjeve dhe grupet e cenueshme, si dhe mënyrën e dallimit të përmbajtjes reklamuese nga ajo gazetareske.

Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, tha se Kodi i deritanishëm për më shumë se 25 vjet ka qenë themeli i gazetarisë, por se ndërkohë bota ka ndryshuar ndjeshëm me zhvillimin e platformave digjitale, algoritmeve dhe inteligjencës artificiale.

“Në një botë të tillë ishte e natyrshme të pyesnim nëse parimet e vjetra etike janë ende të mjaftueshme. Përgjigjja është e qartë: vlerat themelore të gazetarisë nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të ndryshojnë. E vërteta, verifikimi i fakteve, pavarësia, interesi publik dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve mbeten themeli i këtij profesioni”, tha Çadikovski.

Kodi i ri trajton për herë të parë sfidat e epokës digjitale, duke përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale, transparencën, konfliktin e interesit, si dhe mbrojtjen e dinjitetit dhe privatësisë. Sipas hartuesve, dokumenti është përgatitur për më shumë se dy vjet përmes një procesi gjithëpërfshirës me gazetarë, ekspertë dhe organe vetërregulluese, duke krijuar një dokument autentik dhe rezistent ndaj presioneve.

Kodi vendos rregulla dhe udhëzime për përdorimin e inteligjencës artificiale në redaksi, forcon standardet për transparencën, korrigjimet dhe konfliktin e interesit, si dhe i kushton më shumë vëmendje mbrojtjes së dinjitetit të viktimave, fëmijëve dhe privatësisë.

Në prezantimin e Kodit foli edhe kryetari i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS), Aleksandar Krzhalovski, i cili përgëzoi organizatorët për procesin gjithëpërfshirës të hartimit të dokumentit dhe ndau përvojat nga zbatimi i Kodit për organizatat civile.

Krzhalovski paralajmëroi se ekziston rreziku që dokumenti të mbetet vetëm në letër nëse nuk krijohen mekanizma të fortë për zbatimin e tij.

“Pyetja është se si do të zbatohet dhe si do të monitorohet në të ardhmen. Nga përvoja me organizatat civile kemi parë se, megjithëse mbi 150 organizata e kanë nënshkruar Kodin, vetëm rreth 25 përqind i përmbushin detyrimet që rrjedhin prej tij. Ky është një mësim që tregon se çfarë ju pret edhe në zbatimin e Kodit të ri të gazetarëve. Shpresoj që IMM, së bashku me partnerët e tjerë, të krijojë mekanizma efikasë për respektimin e tij dhe që gazetarët të mos e shohin këtë vetëm si një dokument formal, por ta zbatojnë realisht”, tha ai.

Në Kod theksohet se liria e medias është një e drejtë e paprekshme. Misioni i gazetarisë mbështetet në të drejtën e çdo njeriu për qasje në informata dhe ide, në përputhje me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Po ashtu, thuhet se detyrë dhe obligim i gazetarëve është të respektojnë të vërtetën dhe të drejtën e publikut për t’u informuar në kohë dhe me saktësi. Përgjegjësia e gazetarit ndaj publikut ka përparësi ndaj detyrimeve ndaj punëdhënësit apo çdo autoriteti tjetër, ndërsa gazetari është i obliguar të mbrojë interesin publik.