BDI-ja e mirëpret deklaratën e fundit të kryeministrit Mickoski në lidhje me zgjedhjet
Partia opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, e ka mirëpritur deklaratën e fundit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, rreth gatishmërisë për të shkuar në zgjedhje, transmeton Portalb.mk.
“Bashkimi Demokratik për Integrim e përshëndet deklaratën e Kryeministrit Hristijan Mickoski për gatishmërinë e VMRO-DPMNE-së që, në rast të një kërkese në Kuvend, të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Gatishmëria për të kërkuar zgjidhje përmes institucioneve dhe vullnetit të qytetarëve është përgjegjësi që duhet përshëndetur”, deklaruan nga BDI-ja.
BDI-ja vlerësoi se stabilitetin institucione dhe përfaqësimi i drejtë janë të nevojshme për të kaluar sfidat e vendit, ndërsa zgjedhjet i sheh si mundësi serioze dhe institucionale për të mirën e qytetarëve.
Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski sot (11 shtator) ka deklaruar se nëse opozita paraqet kërkesë në Kuvend, ata jemi këtu dhe do të përgjigjen pozitivisht.
Në anën tjetër, VLEN nuk i sheh zgjedhjet si prioritet, ndërsa Aleanca për Shqiptarët deklarohet e gatshme për përballje të re elektorale.
Mickoski, disa herë e ka përsëritur idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Edhe në maj dhe qershor të këtij viti, ai tha së shpejti do të ketë zgjedhje,për të shtuar një ditë më pas se dëshiron që zgjedhjet parlamentare të mbahen në vitin 2028.