VLEN pyeti se deri ku është aktakuza kundër Grubit, ndërsa BDI reagoi për presionit politik ndaj Prokurorisë

Qeveritarja VLEN dhe BDI-ja opozitare me akuza të ndërsjella për rastrin me ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe veprimet e Prokurorisë. VLEN-i pyet pse ende nuk ka aktakuzë për rastin “Lotaria”, ndërsa BDI-ja akuzon se me reagime të këtilla pushteti po ushtron presion të drejtpërdrejtë politik ndaj prokurorëve, njofton Portalb.mk.

Nga VLEN-i thonë se kanë kaluar thuajse gjashtë muaj pasi Grubit i është caktuar paraburgimi shtëpiak në rastin “Lotaria”, ndërsa aktakuzë ende nuk ka. Sipas partisë, më 22 gusht skadon afati i fundit për çka kërkojnë që Prokuroria publikisht të kumtojë se deri ku është procedura.

“Mos vallë Artan Grubi e ka hapur gojën, ka kënduar si bilbil dhe për këtë arsye po zvarritet e gjithë çështja?”, pyesin nga VLEN-i duke e quajtur ish-funksionarin e lartë “kutia e zezë e BDI-së” sepse posedon informata se “kush i tërhiqte pejtë, kush i ndante pazaret dhe në cilët xhepa përfundonin paratë e kumarit”.

“VLEN kërkon nga Prokuroria të mos luajë kukafshehta me drejtësinë, por të dalë e të tregojë pse ende nuk ka aktakuzë në rastin ‘Lotaria’, ku kanë ngecur procedurat dhe çfarë ka ndërmarrë pas konstatimeve të autoriteteve amerikane”, thuhet në kumtesën partiake.

Nga BDI-ja u kundërpërgjigjën se pikërisht kjo thirrje publike ndaj Prokurorisë paraqet presion politik ndaj institucioneve gjyqësore.

Sipas partisë opozitare, prokurorët dhe gjykatat duhet të vendosin në bazë të provave, e jo sipas direktivave politike dhe partiake.

“Prokuroria dhe Gjykatat duhet të vendosin në bazë të provave e jo direktivave politike dhe partiake. Drejtësi selektive partiake nuk i duhet as qytetarëve e as Maqedonisë së Veriut”, porositën nga BDI-ja.

Partia pohon edhe se për këtë shqetësim ka informuar përfaqësues të komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë edhe komunikatën e fundit të VLEN-it.

“BDI bën thirrje për drejtësi europiane, joselektive. Prokurorët bartin përgjegjësi dhe duhet të vendosin në bazë të ligjit, provave, ekspertizave, e jo në bazë të urdhëresave dhe dëshirave partiake”, thonë nga BDI-ja.

Kujtojmë se pas mbi një viti në arrati, më 23 shkurt në orët e para të mëngjesit, Grubi u vetëdorëzua në pikën kufitare në Bllacë, ku edhe u arrestua dhe u dërgua n Burgun e Shutkës.  

Më pas, siç sqaruan autoritetet, për shkaqe sigurie u vendos që ai të shkojë në arrest shtëpiak. Në prill iu vazhdua paraburgimi për 30 ditë, masa e njëjtë u mor edhe në muajin maj 

Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.

Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u ishte caktuar fillimisht masa e paraburgimit për 30 ditë.

Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.