Vitin e ardhshëm vendimi për Liqenin e Ohrit, UNESCO me vërejtje drejtuar Shqipërisë

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i mbledhur në Nju Delhi në Indi, miratoi vendimet për Qendrat e Trashëgimisë Botërore shqiptare, Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën dhe shtyu për vitin e ardhshëm vendimin për zonën ndërkufitare shqiptare dhe maqedonase të Liqenit të Ohrit, raporton Zëri i Amerikës.

Në vendimin për Butrintin UNESCO u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare, pa dijeninë dhe pa miratimin e UNESCO-s.

UNESCO i kërkon Shqipërisë që t’i paraqesë Qendrës së Trashëgimisë Botërore, deri më 1 shkurt të vitit 2025, një raport të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së pronës dhe zbatimin vendimit duke përfshirë një plan veprimi të detajuar me një afat kohor edhe për zbatimin e rekomandimeve të misioni të vitit 2022, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 47-të.

Ndërkohë, në vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin, UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje se, pavarësisht kërkesave të mëparshme, Shqipëria nuk ka zbatuar plotësisht projektin për zhvillimin e Planit të Menaxhimit në bashkëpunim me sektorin qeveritar dhe civil, financuar nga Fondi i Trashëgimisë Botërore”.

Lidhur me vendimit e UNESCO-s Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) tha përmes një deklarate se “mbështeti pa asnjë rezervë projekt vendimet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore që Komiteti i UNESCO-s i zyrtarizoi me një qëndrim, unanim, që e konsiderojmë si shumë objektiv, tërësisht korrekt dhe jashtëzakonisht profesional”.

Ndryshe, edhe pse liqeni i Ohrit është pasuri e madhe natyrore e kulturore e Maqedonisë së Veriut, përballet me një sërë problemesh të cilat jo vetëm që e rrezikojnë liqenin të përjashtohet nga lista e vendeve të mbrojtura të UNESCO-së por dhe cenojnë ekzistencën e vet liqenit më të vjetër në Evropë. Edhe përkundër reagimit të aktivistëve, vetëdija e përgjithshme qytetare për mbrojtjen e liqenit mbetet e ulët, ndërsa nga ana tjetër, katastrofat ekologjike në këtë liqen neglizhohen edhe nga institucionet relevante.

Komiteti për trashëgimin botërore në UNESKO në sesionin e 45-të që e mbajti në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, vendosi që rajoni i Ohrit të mbetet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në UNESKO. Liqeni i Ohrit e fitoi statusin e Trashëgimisë natyrore botërore të mbrojtur nga UNESCO në vitin 1979.