Mbahet edicioni i nëntë me radhë i “Art Simpozium Struga 2024”
Nga 1 shtator deri më 06 shtator 2024 në Strugë, për herë të nëntë organizohet Simpoziumi ndërkombëtar i artit “Struga 2024” ku pjesëmarrës janë mbi 20 artistë të njohur nga 13 shtete të botës njofton Portalb.mk.
Artistë të shumtë nga vende të ndryshme të botës kanë vërshuar Strugën, ku me penelatat e tyre do të kenë mundësi që inspirimin nga bukuritë e rralla të Strugës ta hedhin në telajo duke krijuar vepra arti. Kanë ardhur diku mbi 20 artistë, nga 13 shtete të botës edhe atë nga India , Rumania, Serbia, Turqia, Spanja, Italia, Palestina ,Rusia, Greqia, Bullgaria, Kosova, Shqipëria dhe nga Maqedonia e Veriut, ku me forma të ndryshme të shprehjeve artistike do të krijojnë dhe do i shijojnë bukuritë natyrore të kësaj ane si dhe mikpritjen strugane.
Ky aktivitet ndërkombëtar organizohet nga Shoqata për Art dhe Kulturë SILINDAR’T udhëhequr nga Burhan Ahmeti, drejtoresha Teuta Hoxha Imeri, kuratori Verim Zendeli, kritikja e artit Jëlldëz Asani , koordinatorët Akime Nasufi, Berat Zulbehari, si dhe Vanessa Oda e fotografi Faton Murati. Konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme në fushën e artit pamor për qytetin e Strugës dhe vlerësohet si një kontribut me peshë për zhvillimin e turizmit përmes aktiviteteve kulturo-artistike me karakter ndërkombëtar. Artistët pjesëmarrës i keni në afishen e bashkëngjitur në këtë shkrim.