Keqinformime lidhur me njoftimin për vendosjen e barrikadave nga serbët

Disa media në Kosovë kanë keqinformuar duke ngritur pretendime se serbët e Kosovës do t’i rikthejnë barrikadat në veri. Raportimet u bënë pas njoftimeve nga Serbia se më 6 shtator do të vendosen bllokada afër vendkalimeve kufitare me Kosovën, nga pjesa e Serbisë, shkruan Sbunker.

Më 3 shtator 2024, portali Infoshqip.com, ka publikuar një artikull me titull: “Tensione në veri të Kosovës, Serbët paralajmërojnë vënien e barrikadave”. Përderisa në titull të artikullit pretendohet se do të ketë tensione në veri edhe në përmbajtje të tekstit thuhet se serbët në veriun e Kosovës do t’i rikthejnë barrikadat këtë fundjavë.

Artikulli me përmbajtje të njëjtë u shpërnda edhe nga: Joq – AlbaniaFakte PressKape Lajmin.

Burimi i fotos: Joq – Albania
Burimi i fotos: Joq – Albania

Asnjëri prej këtyre portaleve nuk e ka saktësuar në titujt e artikujve se bllokadat janë paralajmëruar të vendosen në pikat kufitare. Teksti është shoqëruar me fotografi të kamionëve që serbët kishin vendosur para disa viteve barrikada në veri, në rrugët që shpiejnë drejt pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, si dhe fotografinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lajmi për bllokim të pikave afër kufirit me Kosovën u transmetua nga mediat në Serbi.

E ashtuquajtura kryetare e Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut të Kosovës në Mitrovicë, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se nga 6 shtatori do të bllokohen të gjitha “vendkalimet administrative në Kosovë”. Sipas saj, bllokada do të ketë afër pikëkalimeve kufitare në Bërnjak, Jarinje, Merdare, Konçul.

“Bllokada do të fillojë të premten dhe do të zgjasë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe M dhe t’u kthehen serbëve institucionet e uzurpuara. Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, të marrë kontrollin në veri të Kosovës”, tha Rojeviq.

Ajo ka komentuar edhe mundësinë që në barrikada të marrin pjesë serbët e Kosovës. “Serbët që jetojnë në Kosovë dhe M nuk do të marrin pjesë në barrikada në mënyrë që të mos sulmohen nga policia e Kosovës, por marrin pjesë vetëm qytetarët nga territori i Serbisë qendrore, Malit të Zi dhe Republikës Serbe”, tha ajo.

Edhe në qershor të vitit 2023, në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare- Jarinjë dhe Merdare, ishte pamundësuar kalimi për shkak të bllokadës. Mediat serbe patën raportuar se ngasësit e kamionëve me targa të Serbisë, kishin vendosur ta bllokojnë rrugën, Kosovë – Mitrovicë – Rashkë.

“Ata po bllokojnë rrugën për shkak të bllokimit të mallrave nga Serbia nga ana e qeverisë në Prishtinë. Rreth 30 kamionistë nga Kurshumlija kanë bllokuar rrugën kryesore Nish-Prishtinë në fshatin Rudare”, ishte raportuar atëkohë.

Ndërkaq barrikadat e fundit brenda territorit të Kosovës ishin vendosur në shtator të vitit 2021, pasi qeveria nisi aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.