Strugë, rruga rreth Liqenit nuk është rikonstruktuar, pjesa te lumi Sateska ngjan në një deponi të egër

Rruga e Liqenit, nga “Euro Hoteli” deri te lumi “Sateska”, paraqet një nga arteriet kryesore të turizmit në qytetit e Strugës. Gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale në vitin 2021, Ramis Merko premtoi rikonstruimin e kësaj rruge. Por, rruga vazhdon të mbetet e rrënuar dhe e lënë pas dore. Një tjetër problem serioz në këtë pjesë të qytet përbën dhe mosmirëmbajtja higjienike rreth liqenit. Si pasojë e pushuesve të pandërgjegjshëm dhe familjeve rome të cilët verën e kalojnë në pjesën e liqenit afër lumit “Sateska”, liqeni i UNESCO-s shndërrohet në një deponi të egër, shkruan Portalb.mk. Sipas vlerësimeve të deritanishme të situatës në terren, premtimi i Merkos nuk është realizuar ende.

Screenshot nga Programi Zgjedhor Agjenda e Blertë për Strugën
Screenshot nga Programi Zgjedhor Agjenda e Blertë për Strugën

Gjatë garës për të parin e Komunës së Strugës Ramis Merko, në programin e tij zgjedhor “Agjenda e Blertë” (faqe 54), iu premtoi struganëve rikonstruimin e rrugës së Liqenit, nga “Euro Hoteli” deri te lumi “Sateska” me gjatësi prej 1,75 km. U premtua se me rikonstruimin e këtij segmenti rrugor të mundësohet: asfaltim, hapësira parkimi, ndriçim publik, rrjet kanalizimi, rrjet kanalizimi atmosferik, rrjet ujësjellësi, korsi për biçikleta, shtigje për këmbësor. Përveç këtij informacioni nuk ka detaje për afatet e realizimit të premtimit apo buxhetit të paraparë për këtë projekt.

Ky segment rrugor është një element i shumë rëndësishëm për zhvillimin e turizmit. Përmirësimi i infrastrukturës së kësaj zone mbi të gjitha do e lehtësonte jetën e shumë qytetarëve vendas të cilët jetojnë në pjesën e njohur si “Vreshtat e Liqenit”.

Premtimi në fjalë nuk duket se është realizuar edhe pas dy vitesh së marrjes të pushtetit lokal në Komunën e Strugës. Nga ajo që mundet të evidentohet në terren është se ka filluar të punohet diçka në rrugën kryesore përgjatë lagjes “Vreshtat e Liqenit”, ndërsa në pjesët tjera të rrugës së Liqenit jo vetëm që nuk ka shenja pune por gjendja e infrastrukturës është katastrofale. Rruga kryesore në lagjen “Vreshtat e Liqenit”, ku aktualisht po ndërtohet trotuari në kuadër të një projekti ndër-kufitar me emrin “Struga dhe Pogradeci për promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore – COOLTOUR”, është asfaltuar pak para zgjedhjeve lokale në vitin 2021. Më saktë kjo pjesë e rrugës u asfaltua në korrik të vitit 2021, ndërkohë zgjedhjet lokale u mbajtën në tetor.
Në galerinë më poshtë shikoni gjendjen e rrugës së Liqenit nga Euro Hoteli deri te Sateska.

 

 

Redaksia e Portalb.mk u drejtua në adresën e Komunës së Strugës me pyetjen: “A ka projekt Komuna për rikonstruimin e rrugës së Liqenit, Segmenti rrugor nga Euro Hoteli deri te lumi Sateska, 1.75 km. Nëse po çfarë konkretisht parashikon projekti?” Megjithatë, deri në këto momente nuk kemi asnjë përgjigje nga Komuna e Strugës.

 

Nga ana tjetër, partia opozitare në nivel lokal ASH-Strugë, e akuzon kryetarin aktual të Komunës së Strugës se po e mban peng zhvillimin e qytetit dhe po e shkatërron atë duke urbanizuar vetëm parcelat e tij private dhe të njerëzve afër tij. 

“Struga mban kryetar komune, i cili me paratë e Buxhetit të Komunës, këtë radhë bënë Urbanizimin e parcelave të veta kadastrale dhe të tarafit të afërt politik, që ndodhen menjëherë afër Liqenit të Ohrit, para Euro Hotel – it, i cili nuk mërzitet fare për urbanizimin e Qytetit në tërësi dhe hapësirës më me perspektivë të qytetarëve të Komunës së Strugës që ndodhet në mes qytetit të Strugës dhe fshatit Kalishtë. Plani Themelor Urbanistik 2007 – 2017, ka ngulfatur dhe ka mbyllur qytetin e Strugës, pengon zgjerimin dhe zhvillimin e qytetit, tani më vërtetohet me atë se çdo ditë shkakton problem me komunikacionin në hyrje e dalje të qytetit, parkimin dhe të tj., kurse hapësirën në fjalë që u kushton me qindra mijëra euro Struganëve, është lënë në mëshirë të kohës, kallamishte, depo për mbeturina dhe të pa trajtuar fare”, ka deklaruar kryetari i degës ASH-Strugë, Lulzim Nasufi.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren, Portalb.mk konkludon se premtimi për rikonstruimin e rrugës së Liqenit, nga “Euro Hoteli” deri tek lumi “Sateska” me gjatësi prej 1,75 km, e bërë në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, nuk është realizuar.

Në galerinë më poshtë shikoni gjendjen higjienike rreth Liqenit në pjesën e njohur si Sataska

 

BURIMET: