Ministri Limani e fajësoi kryetarin Merko në lidhje me punësimin e edukatoreve në kopshtet e Strugës

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Të Rinjve, Fatmir Limani thotë se punësimi i kuadrit profesional në kopshtin “8 Marsi” në Strugë është pamundësuar për shkak të mosemërimit të drejtorit nga ana e kryetarit të komunës, Ramiz Merko, sepse me vetë atë që nuk ka autorizuar persona në institucionin publik përkatësisht drejtor, nuk ka mundësi për punësim të kuadrit sipas asnjë baze, raporton MIA.

Nga Ministria informojnë se është kryer mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese dhe se nga 30 korriku i këtij viti nuk ka emëruar ushtrues detyre apo drejtor.

“Me qëllim të informimit të saktë të opinionit për gjendjen me IPKKF “8 Marsi”, Komuna e Strugës, si dhe për të parandaluar përhapjen e dezinformatave që e cenojnë reputacionin dhe punën e ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, si dhe punën e vetë Ministrisë, i njoftojmë qytetarët se inspektorët nga Njësia e mbikëqyrjes inspektive për mbrojtjen e fëmijëve pranë Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë ka kryer inspektim të jashtëzakonshëm në IPKKF “8 Marsi” Komuna Strugë dhe kanë konstatuar se kujdesen fëmijët me kapacitet të reduktuar në kopsht nga dt. 30.07.2024 dhe se nuk ka as ushtrues detyre dhe as drejtor”, ceket në kumtesën nga Minstria.

Nga atje sqarojnë se si rrjedhojë e kësaj, Ministria ka mbikëqyrur punën e organeve komunale, përkatësisht kryetarit të komunës së Strugës, obligim ligjor i të cilit është emërimi i ushtruesit të detyrës, përkatësisht emërimi i drejtorit të institucionit parashkollor dhe ka marrë udhëzim që menjëherë të veprojë në përputhje me kompetencat e tij në sferën e mbrojtjes së fëmijëve, sepse situata e shkaktuar ka penguar funksionimin aktual të institucionit parashkollor.

Ministria theksoi që është e pamundur punësimi i personelit për shkak mungesës së drejtorit, ndërsa drejtorin e cakton kryetari i komunës.

Ndryshe, dhjetëra prindër e gjyshër të revoltuar, bashkë me fëmijët e tyre parashkollorë, protestuan më 4 shtator para Komunës së Strugës duke kërkuar që një herë e përgjithmonë të zgjidhet problemi me kopshtin e qytetit. Prindërit thonë se mungesa e kushteve dhe kapaciteteve në çerdhe përveç se vështirëson funksionimin e tyre të rregullt në punë ndikon negativisht dhe në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre.

Statusi i punës me 21 të punësuar në çerdhen e qytetit është është një problem shumë vjeçar por që u bë i njohur për opinionin vetëm disa muaj më parë kur 21 edukatorët vendosën të bojkotojnë punën e tyre dhe të protestojnë. Vendimi i tyre për protestë erdhi pas lajmit se rroga e tyre do të ulej nga 10000 denarë në 5000 denarë. Pas protestës disa ditore edukatoret u kthyen në vendin e punës me shpresë se pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidencial do të rregullohet statusi i tyre, megjithatë me të filluar viti shkollor asnjë nga 21 të punësuarat nuk është ftuar të jetë prezente nën vendin e punës as me status të rregulluar as të parregulluar.

Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për problemet e shumta në kopshtin e qytetit të Strugës, për më tepër lexoni më poshtë.