VITI I RI

Festa e Vitit të Ri më ngjall kujtime fëmijërie. Kujtimet e bukura na ndihmojnë kur na kaplon ligështimi dhe mërzia.

Festa e Vitit të Ri ka diçka përrallore, të ëndërrt, përtejtokësore, përtejnjerëzore, të gjithëkohshme. Kjo festë e ka bukurinë e dimrit dhe kombinimet më të bukura të ngjyrave. Kjo festë krijon afërsi ndërnjerëzore për të cilën kemi aq shumë nevojë në këtë kohë kur ndjehemi të vetmuar në turmë.

Më ndjeni për këtë subjektivizëm, por kjo festë më shtyn të shkruaj edhe në veten e parë.

Si fëmijë shkonim në thellësinë e pyllit, drejt një bredhi të vetmuar, të këpusnim degë me të cilat e bënim bredhin bio të Vitit të Ri. Një ditë para festës im atë sillte pako me ëmbëlsira. Në televizorin bardh e zi “Major 67” nuk dëgjohej asnjë këngë në gjuhën tonë. Pas shumë vitesh, kur dolën televizorët me ngjyra, prisnim deri në orët e mëngjesit të dëgjonim disa këngë shqipe në MTV. Kjo padrejtësi na lëndonte, por nuk na prishte festën. Nuk ishte televizori që e zbukuronte këtë festë, por ishte ngrohtësia familjare.

Disa vite më vonë mund ta shihnim TV Prishtinën, e më vonë edhe TVSH-në, por fshehtas. Televizori më nuk ishte aq i parëndësishëm, sepse gjatë natës së Vitit të Ri kishte program me këngë, valle dhe humor në gjuhën shqipe…

Ishin kohë të vështira, por kishte më shumë ngrohtësi familjare dhe afërsi ndërnjerëzore.

Sot janë përmbysur stinët. S’ka akullimë, s’të ngrin acari, s’lëvaren akujt pullazeve, fëmijët më nuk rrëshqasin me pajisjet manifakturale. Ka ndryshuar bota. Është bërë më e ankthshme. Ka shumë akullsi zemre e shpirti. Kumtet sot lëvizin me shpejtësi marramendëse dhe mbartin ankthe e trishtime. Është globalizuar edhe frika e marrëzia. Botën e rrotullon pangopësia. Të vegjlit varfërohen. Të pasurit ende pasurohen. Luftërat bëhen më shkatërrimtare dhe më të leverdishme. Ka ndryshuar njeriu. Dora mizore e tij i shkatërron gjërat që u rezistuan epokave. Po humbet edhe laramania në emër të mbrothësisë…

Ndoshta edhe atëherë kanë ndodhur të njëjtat gjëra, por ne ishim fëmijë dhe botën e shihnim ndryshe…

Sidoqoftë, gëzuar!

Le të jetë ky vit një mundësi e re për të bërë gjërat duhura, siç tha O. Winfrey. Qoftë një fillim i ri. Më i mirë. Më i mbarë…

Nuk jemi orakuj ta parashikojmë të ardhmen, por si njerëz mund të bëjmë më shumë për ta ndryshuar gjendjen tonë dhe për ta bërë botën më të mirë.

Në përmbyllje le të shkëpusim vetëm ca vargje nga poezia “Viti i Ri” nga Asdreni: “Ç’do vit i ri na prur ëndërrime / Për një të pritme të pa vrer, / Po kur s’na mbushen do qëllime / Një vit na duket si një ferr… Por Shpresat prap si shtyllë zjarri / Na ndritin shpirtin plot pushtet, / T’a mbajmë rrugën për së mbari: / Plot forcë jete dhe vullnet!”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.