Viti i ri shkollor mund të fillojë në mes të shtatorit, flitet edhe për pushim pranveror

Tri propozime janë duke u diskutuar në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor 2023/2024, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri sot bëri të ditur se ende nuk është dorëzuar ndonjë propozim zyrtar në Qeveri pasi deri në shtator ka ende kohë.

“Nëse vendosim të fillojmë më 1 shtator, do të fillojë, është e premte. Nëse vendosim për variantin e dytë, do të jetë në mes të shtatorit, nuk do të doja të flisja për data. Opsioni i tretë është që të fillojë nga 1 shtatori, por edhe nxënësit të kenë pushim pranveror”, tha Shaqiri.

Kujtojmë që ministri Shaqiri ka bërë të ditur për Meta.mk se deri në fund të këtij muaji do të ketë vendim nga Qeveria nëse viti i ardhshëm shkollor do të fillojë në mes të shatorit apo në fillim.

Zyrtarët në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASh) premtuan se nuk do të vonohen dëfesat për nxënësit. Çdo shkollë do të përcaktojë individualisht datat për dhënien e dëftesave. Vitin e kaluar nxënësit, prindërit dhe shkollat ​​nuk dinin se kur do të marrin dëftesat, pas çka më në fund u lidh marrëveshje për blerjen e tyre.