Shaqiri: Në seancë qeveritare do të vendosim nëse viti i ri shkollor do të fillojë më 10 shtator

Në seancë qeveritare do të vendoset nëse viti i ri shkollor 2023/2024 do të nisë më 10 shtator, në vend të 1 shtatorit si deri më tani, thotë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, për Meta.mk. Nëse kjo ide legalizohet, atëherë çdo vit shkollor i ardhshëm për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme do të nisë më 10 shtator, transmeton Portalb.mk.

Ndryshe, viti aktual shkollor do të zgjatet për katër ditë dhe do të zgjasë deri më 14 qershor në vend të 10 qershorit, për shkak se u zgjat pushimi dimëror, për të kursyer shkollat ​​në ngrohje.

“Ende nuk ka ardhur si pikë për diskutim në rendin e ditës së Qeverisë. Kur të vijë do të informojmë për vendimin”, tha në një deklaratë të shkurtër ministri Shaqiri.

Vitin e kaluar Shaqiri për Meta.mk foli për idenë e nisjes së vitit shkollor 10 ditë më vonë, që do të nënkuptonte shtyrjen e tij deri më 20 qershor.

“E diskutuam këtë ide sepse, në disa nga vendet tona të rajonit, si Shqipëria, Kroacia, viti shkollor nuk fillon më 1 shtator si këtu, por më vonë. Do të doja të lëvizja fillimin, po mendoj për këtë, edhe pse duhet të shohim se si do të veprojmë me SASHK-un, sindikatat, si dhe institucionet e tjera që janë të lidhura me data, për shembull, Qendra Shtetërore e Provimeve që është e lidhur me afate për shkak të morisë së provimeve, përfshirë edhe dhënien e provimit të maturës shtetërore. Ndryshe, mendoj se është e mirë ideja për prolongimin e vitit shkollor”, tha ministri vitin e kaluar.