Kurti: Pasi të kuptoj gjendjen e policëve do të vendos për shkuarjen në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të vendosë nëse do të marrë pjesë në takimin e krizës të thirrur nga Bashkimi Evropian, pasi të kuptojë për gjendjen e tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga Serbia.

“Unë dua fillimisht të pres vizitën e ambasadorit [shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd] Jetish Jashari në Kralevë dhe vetëm më pas kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng, rob në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin [për pjesëmarrjen në takimin e Brukselit]. Vizita [e Jasharit] është menduar, me sa kam informacione deri në këto momente, për ditën e nesërme dhe unë do të jem në kontakt me ambasadorin tonë që të më njoftojë për gjendjen e këtyre tre policëve tanë që po mbahen rob në Serbi”, tha ai, transmeton REL.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, më gjatë javës së kaluar i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tre policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”.

Për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim krize. Takimi është paraparë të mbahet këtë javë.

Kurti tha se ende është e paqartë nëse ky takim është thirrur për 22 apo 23 qershor.

Tensionet në veri janë rritur që prej fundit të majit, por ato janë përkeqësuar më 14 qershor pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Ndaj tre policëve, një gjykatë në Kralevë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga pala serbe, e cila ka akuzuar Prishtinën për keqtrajtimin e serbëve të arrestuar.

Të dielën, më 18 qershor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do të marrë pjesë në takimin me Kurtin në Bruksel.

“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, deklaroi Vuçiq për gazetarët në Beograd.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.

Kurti po ashtu foli edhe për njoftimin se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka vendosur një bllokadë në Leposaviq, dhe nuk ka lejuar njësitë speciale të Policisë së Kosovës të shkojnë në këtë komunë.

Më herët gjatë ditës, ky njoftim është përgënjeshtuar nga policia e Kosovës.

Por, Kurti tha se policia duhet të jetë e pranishme në atë zonë, për shkak se, sipas tij, atje ka “grupe kriminale”.

“Për shkak se ka ekstremistë të ndryshëm dhe për shkak se ka grupe kriminale, duhet të ketë Polici të Kosovës në këto ndërtesa. Unë kam ofruar që Republika e Kosovës gradualisht, proporcionalisht të zvogëlojë numrin e policëve, por me sundimin e ligjit që bën që të përballen me drejtësi ata kriminelë që sulmuan edhe ushtarët e NATO-s, edhe policët e Kosovës, edhe gazetarët. Pra, kjo është ajo çfarë ne kemi propozuar”, tha Kurti.