Papërgjegjësia në trafik që mori tre jetë njerëzish

Të gjithë kemi mbetur pa fjalë e të trishtuar me rastin tragjik ku një familje kosovare, humbi tre anëtarë në mënyrë tragjikisht duke udhëtuar nga Kosova në drejtim të Shkupit, pasi vetura e tyre ra në lumin Lepenec, si pasojë e një aksidenti. Në veturë kanë qenë nëna, babai dhe dy djemtë, por vetëm njëri prej djemve ka mbijetuar.

Suad Bajrami, kolumna/profil, editorial, shkrim
Shkruan: Suad Bajrami

Sipas njoftimit të autoriteteve të RMV-së, në momentin kur ka arritur paralelisht me një veturë “BMW” me targa kosovare, e cila ka qenë duke lëvizur në të njëjtën kolonë, dy automjetet janë afruar dhe janë përplasur. Kështu, automjeti nga Kosova, e humb kontrollin dhe bie në lumin Lepenec. Njëri prej katër anëtarëve të familjes mrekullisht ka shpëtuar, ndërkaq tre të tjerët janë bllokuar në veturë dhe kanë ndërruar jetë.

Nuk do shumë mend për ta treguar sjelljen e shoferit i cili ka dalë nga kolona. Është arrogante, mbase edhe vrasëse. Papërgjegjësi e skajshme e cila fatkeqësisht ka shkatërruar një familje të tërë.

Assesi nuk mund të arsyetohet me atë se i “ndodh çdokujt, është thjeshtë aksident”. Tejkalimi i dhjetëra veturave, të cilët presin në radhë, është shpërfillje me vetëdije e rregullave bazike, jo vetëm të komunikacionit, por edhe ato njerëzore.

Kjo pasqyron kulturën tonë të kapërcyerit e futjes pa radhë, duke i shkelur të gjithë, e madje duke i bërë dhe viktima për arrogancat tona. Në një formë, apo tjetër, kjo ndodh gjithandej. Në sallën e mbushur plotë me pacientë që presin radhë për të hyrë në kontroll mjekësor, ne e thërrasim mjekun për të hyrë nga “kapixhiku”. Emrat e mbiemrat e shumë prej nesh kalojnë e kërcejnë pa radhë në listat e të punësuarve. Këto janë akte padrejtësie që shkatërrojnë vlerat e barazisë, për çka dhe rritet mosbesimi i qytetarëve dhe i krijohen kushte korrupsionit.

Dhe fatkeqësisht, kjo është fotografia e përditshme e kulturës sonë të tmerrshme në komunikacion, ku në mënyrë të ashpër shkelen rregullat dhe vihen në rrezik jetët e të gjithëve, duke bërë “karshillëk” ndaj qytetarëve që respektojnë këto rregulla.

Po, këta janë njerëzit që na lavdërohen se “shlyejnë gjoba”, apo nuk i ndalen “STOP-in” të Policisë, hyjnë e parkohen në mes të shesheve, parqeve, e rrugëve, ndërkaq me veturat e tyre private, pikëpagesat i kalojnë me kartela zyrtare. E mbushin gazin deri në fund, duke ushtuar qytetin dhe tmerruar njerëzit.

Kultura jonë e pistë, për të mos respektuar rregullin e artë të barazisë, ka prodhuar bisha që shkatërrojnë jetë njerëzish dhe këtë çmim po e paguajmë vetë ne.