Kompania italiane “TechnoAlpin” prezantoi planin për investimin e saj në Kodrën e Diellit, parashihen shtatë faza

Investitorët nga Italia të interesuar për Kodrën e Diellit nga kompania “TechnoAlpin” sot prezantuan planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Procesi është në fazën e hershme përgatitore dhe kontrata nuk është nënshkruar ende. Ministri i Mjedisit Jetësor e pranoi se e për njëzet vite nuk janë bërë investime në këtë qendër, dhe tha se kjo pritet të bëhet përmes kësaj kompanie ndërsa marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë muajit janar. Nga ana tjetër, ka përfunduar procesi i ndarjes së Kodrës së Diellit nga “Elem Turs”, është formuar kompani e cila do menaxhojë vetëm me “Kodrën e Diellit”, shkruan Portalb.mk.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë “TechnoAlpin”, Erich Gummerer tha se Kodra e Diellit mes tjerash ka nevojë për sistem të borës artificiale, ndërsa kompania nlë fjalë, siç u shpreh, është e dëshmuar në këtë drejtim duke dhënë kontribut edhe në lojërat olimpike dimërore.

Për atë se përse janë të interesuar që një investim të tillë ta realizojnë në Kodrën e Diellit, Gummerer tha:

“Mund të ju them që unë i njoh të gjitha ski-qendrat në botë, shohim çka funksionon e çka jo, kemi zbuluar që Kodra e Diellit ka një të ardhme të shkëlqyer, ka potencial të lartë dhe bazë të mirë, ka potencial për turistët, dhe pikërisht për këtë thamë po. Besojmë që do të realizohet ky investim.”

Në konferencën e sotme për media, përfaqësuesit e kësaj kompanie në pika të shkurtra e prezantuan master-planin për investimin e tyre në Kodrën e Diellit. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove.

Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Mes tjerash, thanë se në komplet investimin do të bëhen në total 16 shtigje të reja për skijim, 9 ski-lifte të reja, 4 hotele, restorante, vikend shtëpiza, piceri nga Italia, tre parkingje të reja, rrugë të reja dhe të tjera.

Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Por, për të bërë borë, nevojiten rezervuare uji, dhe për këtë ai tha se do të investojnë në dy rezervuarë të ujit. Ai theksoi se është me rëndësi që Kodra të shfrytëzohet edhe gjatë verës andaj për këtë do të shfrytëzohen teleferikët dhe shtigjet e biçikletave.

This slideshow requires JavaScript.

Konkretisht, në fazën e parë planifikohet të realizohen:

  • Investim në vendosjen e dy teleferikëve të rinj me 6/8 ulëse;
  • Dy shtigje të reja skijimi;
  • Instalim i sistemeve për borë artificiale;
  • Park-Aventurë, kënd lojërash, hapësirë për rekreacion dhe relaksim;
  • Parking i ri i asfaltuar me hapësirë për parkim të 600 veturave;
  • Ndërtimi i rrugëve të reja qasëse në Kodrën e Diellit;
  • Ndërtimi i dy hoteleve të reja, të kategorisë me 4 yje;
  • Investim në dy mjete të reja për rregullimin e shtigjeve të skijimi;

Ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini, theksoi se për njëzet vite nuk janë bërë investime për modernizimin dhe zgjerimin e qendrës, dhe se mungesa afatgjate e investimeve ka sjellë vonesë serioze, mosshfrytëzim të mundësive dhe kapaciteteve të shumta që ofron ky lokacion turistik.

Ai theksoi se përzgjedhja e “TechnoAlpin” është bërë përmes Ligjit për investime strategjike, ka pasur ofertë më të pranueshme, paraqet investitor serioz, pasi shteti nuk ka pasur mundësi të investojë.

“Ideja tani është që të ulemi të rregullojmë të gjitha pikat e marrëveshjes që mund të kenë mangësi, deri në janar besoj se do të kemi një marrëveshje të rregulluar dhe të ja prezantojmë opinionit publik dhe ta japim këtë në Kuvend”, tha Nuredini duke shtuar se përmes këtij investimi do të rritet turizmi, të ardhurat në shtet si dhe do të ketë vende të reja të punës.

Ndër të tjerat, ministri theksoi se investitori i interesuar është i njoftuar për gjendjen në Kodrën e Diellit dhe problemet aty.

Këtë propozim-projekt për investim strategjik në Kodrën e Diellit Qeveria e miratoi në seancën e mbajtur me 25 nëntor.

Është formuar kompani e cila do menaxhojë vetëm me “Kodrën e Diellit”

Pas shumë zvarritjeve, më në fund është formuar kompani e re e cila do të menaxhojë vetëm me Kodrën e Diellit. Deri më tani, me këtë qendër turistike ka menaxhuar “Elem Turs” nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV).

“Janë formuar dy kompani të veçanta, “Molika” dhe “Kodra e Diellit”. Të dyja janë kompani bija të EMV-së, dhe të dy kompanitë janë të ndara nga njëra-tjetra. “Molika” dhe “Kodra e Diellit” deri më tani ishin bashkë në një kompani – “Elem Turs”. Tani, “Elem Turs” formalisht ende ekziston, por këto dy kompani nuk janë pjesë e saj, por janë kompani bija direkte të EMV-së. Aktualisht kjo është situata”, thanë për Portalb.mk, nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV).

Themelimi i kësaj kompanie e cila do të menaxhojë vetëm me “Kodrën e Diellit” është hapi i parë që pritet të çojë në modernizimin e qendrës së skijimit.

“Është formuar Qendra e skijimit “Kodra e Diellit” nga ana e SHA EMV si themeluese dhe është në pronësi të shtetit. Ndarja është një nga proceset apo gjërat kryesore që duhet të jetë sa më e thjeshtë dhe e lehtë deri në lidhjen e kontratës me investitorin e huaj që tashmë është shpallur. Kjo do të ndihmojë procesin pasi të gjitha asetet e “Kodrës së Diellit” do t’i kalojnë kompanisë së re dhe do të jetë një kompani e pastër pa borxhe”, deklaroi Adem Avziu.

Ndarja e Kodrës së Diellit dhe funksionimi i saj ndaras u kërkua edhe nga sektori joqeveritar.

Sezoni i skijimit pritet të fillojë ditëve në vijim. Pavarësisht përpjekjeve për përmirësim të situatës në terren nga menaxhmenti i qendrës dhe pushteti lokal, edhe ky dimër do të jetë sfidues me probleme të vjetra, duke filluar nga mungesa e parkingjeve, mbeturinat, infrastruktura e dobët rrugore, mungesa e teleferikut, kushtet jo të mira, dhe të tjera.

Rivitalizimi i qendrës “Kodra e Diellit” u bë e ditur se është përfshirë në strategjinë kombëtare 2021-2027 nga ish-kryeministri Zoran Zaev.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button