Institucionet u zgjuan nga gjumi për Kodrën e Diellit, Shukova: Nesër kemi takim për investimin strategjik

Pavarësisht se para një viti u prezantua plani i kompanisë italiane për zhvillimin e qendrës turistike Kodra e Diellit, marrëveshja nuk është nënshkruar ende. Institucionet deri më tani nuk kanë dhënë përgjigje konkrete se kur do të nënshkruhet marrëveshja. Sot, ministrja e Mjedisit Jetësor, Kaja Shukova e pyetur nga Portalb.mk për këtë investim tha se nesër kanë takim ku do të diskutohet dhe rishqyrtohet projekti.

Ministrja Shukova theksoi se nesër në kuadër të procesit për miratimin të investimit strategjik, është caktuar takim në Ministrinë e Financave.

“Do të rishikohet edhe njëherë ky projekt. Unë mendoj se shkon në drejtim të mirë. Konsideroj se janë përmbushur të gjitha kushtet që investitori duhet t’i sigurojë që të mundet pastaj Qeveria dhe më pas edhe Kuvendi të miratojë një investim të tillë strategjik”, tha Shukova.

Ajo theksoi se shikohen dokumentet pasi është proces që duhet bërë dhe se mblidhen mendime nga ministritë resore, pasi duhet të shihen më shumë aspekte, ekonomik, social, ekologjik.

“Pra nuk është e thjeshtë, vetëm me dorëzim dhe miratim në Qeveri dhe Kuvend. Por mendoj se është drejt fundit, do të sillet vendim nëse i përmbush kushtet investitori dhe nëse mund të lidhet kontratë për investim strategjik që do ta kalonte Qeveria dhe më pas Kuvendi. Nga ana jonë janë plotësuar kushtet”, tha Shukova.

Edhe nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk japin datë konkrete se kur do të nënshkruhet marrëveshja.

“Sa i përket realizimit të projektit për investim strategjik për ndërtimin e qendrës së skijimit në Kodrën e Diellit, është duke u punuar në propozim-tekstin e Marrëveshjes, si dhe në propozim-tekstin e Ligjit për këtë projekt për investim strategjik”, thanë nga Qeveria për Portalb.mk.

Kompania italiane TechnoAlpin për Portalb.mk theksoi se nuk munden ende të shpalosin ndonjë informacion në këtë drejtim.

“Fatkeqësisht nuk mund të japim ndonjë parashikim për përfundimin e marrëveshjes. E kuptojmë se kjo është temë shumë e rëndësishme për ju dhe ju falënderojmë për durimin tuaj”, thanë nga TechnoAlpin.

TechnoAlpin” në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Kohë më parë, u formua kompania e re e cila do të menaxhojë me Kodrën e Diellit me emër “Kodra e Diellit”.

Kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.