MMJPH: Investimi në Kodrën e Diellit është i kushtëzuar me vënien në funksion të teleferikut nga Tetova

Ndonëse muajin e kaluar ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH), Naser Nuredini tha se pritet që në janar të ketë marrëveshje me investitorin e interesuar për Kodrën e Diellit, “TechnoAlpin” të cilët kanë prezantuar ofertën e tyre para opinonit të vendit, nënshkrimi i kontratës nuk do të bëhet këtë muaj. MMJPH për Portalb.mk thotë se ka ende procedura tjera që duhet të përfundojnë.

Kjo Ministri bën të ditur se negociatat me “TechnoAlpin” janë duke u zhvilluar, ndërsa ka vonesë të përkohshme për shkak të festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve.

“Kontrata është duke u shqyrtuar në mënyrë të detajuar, posaçërisht siç theksoi ministri Nuredini, investimi në qendrën e skijimit është i kushtëzuar, para së gjithash, me vënien në funksion të gondolës/telferikut nga Tetova në Kodrën e Diellit. Është kryer inspektim dhe përcaktim i detajuar i të gjitha pikave ku janë planifikuar ndërtime”, thanë nga MMJPH.

Për këto arsye, sipas Ministrisë nënshkrimi nuk do të bëhet në janar, por sapo të specifikohen të gjitha detajet, do të hartohet Ligji i posaçëm për Investime Strategjike, i cili do t’i dorëzohet Qeverisë së vendit dhe pas miratimit nga Qeveria do të dorëzohet në Kuvend.

Kontaktuam edhe investitorin e interesuar “TechnoAlpin” për të parë si rrjedhin punët nga ana e tyre, por nga atje deri në publikimin e këtij shkrimi nuk u përgjigjën.

Kujtojmë që “TechnoAlpin” në muajin dhjetor kanë prezantuar planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Pas shumë zvarritjeve, më në fund është formuar kompani e re e cila do të menaxhojë me Kodrën e Diellit. Themelimi kompanisë së re “Kodra e Diellit” është hapi i parë që pritet të çojë në modernizimin e qendrës së skijimit pasi në të ardhmen do të lidhet marrëveshje me investitorin strategjik. Aktualisht procesi është në fazën përfundimtare të regjistrimit të kapitalit të patundshëm në emër kë kësaj kompanie të re nga ana e Elektranave të Maqedonisë së Veriut- Elem Tursit.

Kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet e mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.

Përndryshe, sezoni i sivjetshëm i skijimit në këtë qendër turistike filloi zyrtarisht të dielën e kaluar, konkretisht me vonesë për më shumë se një muaj, si shkak i ndryshimeve klimatike dhe mungesës së reshjeve të mjaftueshme të borës. Ndërkaq sipas menaxhmentit të qendrës turistike humbjet nga kjo vonesë janë rreth gjysmë milioni euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button