Vendimi i KSHZ-së për uljen e numrit të këshilltarëve përplasi partitë shqiptare
Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se, vendimi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) me të cilin ulet numri i këshilltarëve në komunat shqiptare, jo vetëm që është i dëmshëm politikisht për shqiptarët, por është edhe precedent i rrezikshëm që kthen vendin pas në kohën e para vitit 2001, transmeton Portalb.mk.
“Me këtë vendim, komunat shqiptare dëmtohen drejtpërdrejt, vetëm në Gostivar numri i këshilltarëve ulet nga 31 në 23; ndërsa në Strugë, Kërçovë, Vrapçisht, Zhelinë dhe Tearcë ulen nga 4 këshilltarë për secilën komunë. Për më tepër, diaspora përjashtohet nga përllogaritja zyrtare, duke e dëmtuar edhe më shumë përfaqësimin dhe zhvillimin ekonomik të komunave tona”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas tyre, edhe më shqetësues është bashkëpunimi i VLEN-it, që edhe një herë dëshmon se nuk përfaqëson shqiptarët, por mbulon padrejtësitë ndaj tyre.
“Sot, VMRO, LSDM dhe VLEN edhe një herë treguan qartë se janë në një front kundër interesave shqiptare. Sigurisht se anëtares së KSHZ-së, Ditmire Shehut, nuk i mbetet asgjë tjetër, përpos që ta vazhdoj betejën e saj ligjore para Gjykatës Administrative, siç edhe vetë paralajmëroi. Sidoqoftë, ky proces nuk do të kalojë pa përgjigje. Shqiptarët kanë forcën dhe vetëdijen që t’u japin dënimin e merituar këtyre politikave diskriminuese. As mbivotimi, as shantazhet, as manipulimet nuk do ta mjegullojnë dot vullnetin e popullit në referendumin e tetorit”, kanë thënë nga BDI.
Nga ana tjetër, VLEN i ka reaguar BDI-së duke thënë se, janë pikërisht ata të cilët e krijuan padrejtësinë që sot e denoncojnë.
“Ligji për regjistrimin, nga shkronja e parë deri te e fundit, është vepër e ministrave dhe deputetëve të BDI-së. Bujar Osmani, Artan Grubi, Fatmir Besimi dhe kolegët e tyre e përgatitën dhe e propozuan ligjin, ndërsa Arbër Ademi dhe grupi i tij parlamentar e votuan pa asnjë vërejtje. Ata i futën grafat që nuk ekzistojnë askund në botë, ata lejuan që bashkëqytetarët tanë nga diaspora të trajtohen si të huaj në shtetin e tyre. Rezultati është i qartë dhe tragjik: numri i shqiptarëve nuk është gabim statistikor, por zvogëlim i qëllimshëm dhe sulm ndaj përfaqësimit të drejtë. Është padrejtësi historike, që do të mbahet mend si një nga tradhtitë më të mëdha ndaj kauzës shqiptare”, kanë thënë nga VLEN.
Më tej kanë shtuar se, sulmet e tyre të përditshme ndaj VLEN-it janë dëshmia më e qartë se ata e dinë ku kanë gabuar dhe ku i kanë mëkatet.
“Ata me çdo kusht tentojnë ta nënçmojnë qytetarin shqiptar! Sa për informim: në vitin 2021, kur u bë regjistrimi, VLEN nuk ekzistonte fare, si mund të mbajë VLEN fajin e BDI-së? Nuk ka amnisti për fajin politik. Nuk do të lejojmë që numrat dhe dinjiteti i shqiptarëve të falsifikohen. Nuk do të lejojmë që ata që krijuan problemin të shiten sot si shpëtimtarë. Dhe për fund, ta kujtojmë qytetarit se kjo është vepra e BDI-së: Ashtu si me mërgatën shqiptare, të cilët i lanë jashtë numërimit, vepruan edhe me gjuhën shqipe: gjysmake, pa ligj, pa fuqi”, kanë thënë nga kjo parti.
Kujtojmë se, KSHZ më 22 gusht, miratoi Udhëzimin për plotësimin e formularit të listave për kandidatët për anëtarë të këshillave të komunave dhe të Qytetit të Shkupit, me 5 vota për dhe 1 kundër. Anëtarja e BDI-së, Ditmire Shehu është deklaruar kundër Udhëzimit. Ajo njoftoi se do ta kontestojë këtë udhëzim para Gjykatës Administrative. Edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës thonë se vendimin e KSHZ-së do ta ankimojmë në Gjykatë Kushtetuese nëse Gjykata Adninistrative nuk e shfuqizon atë.