BDI: Një vit pas fillimit të punimeve në stadiumin e Tetovës, tribuna mbeti e prishur dhe asgjë nuk është bërë

Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar sot kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami se, po mashtron qytetarët në lidhje me ndërtimin e stadiumit të qytetit. Vjollca Feta inga kjo parti, tha në një konferencë për media se, edhe kanë kaluar më shumë se një vjet kur u promovua ndërtimi I stadiumit, në prag të zgjedhjeve lokale, projekti nuk u realizua dhe punimet janë ndalur, transmeton Portalb.mk.

“Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, vitin e kaluar, në prag të zgjedhjeve parlamentare, në një shfaqje të turpshme me një eskavator e goditi tribunën e tifozëve në stadiumin e Tetovës, kinse duke filluar punimet për ndërtimin e stadiumit të ri. Sot, pas më shumë se një vit nga ajo skenë e turpshme, ajo pjesë e tribunës mbeti e prishur, punimet janë ndaluar dhe asgjë nuk është bërë. Asnjë gur nuk është lëvizur. Stadiumi nuk u bë realitet për qytetitin”, tha Fetai.

Ajo më tej akuzoi se Kasami po e përdor këtë projekt për qëllime politike.

“Tani, kur afrohen zgjedhjet lokale, Kasami po përdor sërish të njëjtën shfaqje mashtrimi. Pa asnjë punë konkrete, ai shfaqet me deklarata propagandistike duke e fryer inteligjencën e qytetarëve të Tetovës me premtimet e njëjta boshe, sikur para një viti. Një vit më parë e shkatërroi tribunën e tifozëve, ndërsa sot në vend që të ndërtoj, ai vazhdon të shes iluzione dhe mashtrime.
Ky nuk është vetëm mashtrim, por është tallje me inteligjencën e tetovarëve dhe abuzim me ndjenjat e mijëra tifozëve të Shkëndijës, të cilët prej vitesh presin një stadium të denjë për klubin dhe qytetin e tyre”, tha ajo.

Reagimi i BDI-së vjen pasi Kasami më 18 gusht, publikoi një video në profilin e tij në Facebook nga punimet në stadium dhe tha se punimet po zhvillohen sipas dinamikës së parashikuar.

Kujtojmë se, aktivitetet e para për ndërtimin e stadiumi të qytetit filluan gjatë muajt prill 2024.

Kontrata për stadiumin e qytetit u nënshkrua me 18.03.2024 nga ana e NP ‘Tetova Transport’ dhe Shoqërisë për tregti dhe shërbime ‘E-Property’, pronar i së cilës sipas të dhënave që Portalb.mk siguroi nga Regjistri Qendror është Nazif Destani, djali i biznesmenit, Lazim Destani.

Vlera e kontratës së punimeve është 599.931.520 denarë (rreth 9.7 milionë euro), ndërsa vlera e TVSH-së është e shprehur veçmas në vlerë prej 107.987.673 denarë.

Me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.

Sipas kontratës, punimet duhet të mbarojnë brenda tre viteve nga data e hyrjes në punë të kontraktuesit pas lidhjes së kontratës.