RMV, shqetësim për njoftimet për administratorë në vend të kryetarëve të komunave

Njoftimet për emërimin e mundshëm të administratorëve qeveritarë në vend të kryetarëve të komunave, nëse zgjedhjet lokale në Маqedoni janë të pasuksesshme, shkaktuan një sërë reagimesh në opinion. Sipas LSDM-së opozitare deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski për emërimin e “administratorëve qeveritarë” paraqet një sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe vullnetit të qytetarëve, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

LSDM: “Sulm ndaj rendit kushtetues”

“Deklarata e tij për emërimin e “administratorëve qeveritarë” është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe vullnetit të qytetarëve”, thonë nga kjo parti. Ata janë të mendimit se kryeministri planifikon të pezullojë Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) dhe t’i marrë përsipër kompetencat e tij ligjore, duke theksuar se KSHZ është i vetmi organ kompetent për realizimin e zgjedhjeve, të cilat tashmë janë shpallur dhe po zhvillohen sipas Kodit Zgjedhor.

RDM: “Propozim antidemokratik“

Reaguan edhe nga Rimëkëmbja Demokratike e Maqedonisë (RDM), nga ku thanë se janë të shqetësuar pas deklaratës së Kryeministrit të enjten (21.08) se nëse zgjedhjet lokale në tetor janë “të pasuksesshme”, Qeveria do të emërojë administratorë si kryetarë të komunave.

“Ky propozim është qartësisht antidemokratik: ai e anulon kuptimin e zgjedhjeve dhe injoron vullnetin e qytetarëve të cilët, imagjinoni, do të kishin zgjedhur kandidatë të pavarur për kryetarë komune ose këshilltarë. Kjo nuk është një ‘taktikë politike’, por një njoftim i drejtpërdrejtë i arbitraritetit në komuna, i cili i ngjason me një vendosje të ashpër të një regjimi të cilin të gjithë e kemi shumë të njohur”, thanë nga RDM.

Ata kërkuan që kryeministri ta tërheqë menjëherë këtë kërcënim dhe t’i respektojë të drejtat kushtetuese të qytetarëve. “Vullneti i qytetarëve nuk është në shitje – nuk do të lejojmë që ai t’u lihet në dorë kalkulimeve partiake dhe manipuluesve të vjetër të pushtetit politik”, thanë nga RDM.

Çfarë propozoi Mickoski?

Kryeministri Hristijan Mickoski ditëve të fundit deklaroi se nuk e përjashton mundësinë që gjatë procesit zgjedhor të shfaqen probleme për shkak të vendimit që kandidat e pavarur për këshilltarë dhe kryetarë të komunave të mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në tetor me vetëm dy nënshkrime. Kjo e imponoi frikën se numri i kandidatëve mund të rritet dhe fletën e votimit ta bëjë të gjatë dhe konfuze. Por, sipas Kryeministrit, nëse kjo ndodh dhe zgjedhjet nuk janë të suksesshme, Qeveria ka të drejtë kushtetuese dhe mundësi ligjore për të emëruar administratorë qeveritarë në vend të kryetarëve të komunave.

“Gjithçka është e mundur, ka mundësi që fletëvotimi të jetë 7-8 metra i gjatë, t’i dekurajojë qytetarët nga dalja në votim, të ulet censusi, por dua të paralajmëroj se sipas Kushtetutës dhe Ligjit, nëse procesi zgjedhor nuk është i suksesshëm, Qeveria është ajo që emëron administratorët qeveritarë”, tha Mickoski.

Mundësia që kandidatët e pavarur të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Maqedoni me vetëm dy nënshkrime të qytetarëve buroi nga rregullorja e re që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) e miratoi së fundmi, pas boshllëkut ligjor që rezultoi pasi Gjykata Kushtetuese në maj shfuqizoi dy dispozita të Ligjit për Ndryshimet dhe Plotësimet e Kodit Zgjedhor. Këto dispozita e përcaktonin numrin e nënshkrimeve që duhet të mblidhen kur dorëzuesit e listave të kandidatëve janë një grup votuesish, pra nismat qytetare.

Çfarë thonë ekspertët?

Analisti politik Predrag Arsovski në një deklaratë për “Nezavisen”, thotë se nuk sheh mundësi që zgjedhjet lokale në Maqedoni të dështojnë për shkak të pjesëmarrjes së të pavarurve dhe deklaratat në atë drejtim i konsideron të ekzagjeruara – përveç se nëse dikush ka informacion se listat e pavarura me dy nënshkrime do të keqpërdoren nga dikush.

“Çfarë do të thotë që zgjedhjet janë të pasuksesshme? Ekziston mundësia që kryetarët e komunave të mos zgjidhen, por nuk ka mundësi të tillë për zgjedhjen e këshilltarëve. Edhe sikur një qytetar të votojë, ata do të zgjidhen”, thotë Arsovski, pas dilemave që u përhapën në publik në lidhje me zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas tij, po shkaktohet shumë tension rreth listave zgjedhore sepse, nëse rezulton se votimi po zvarritet për shkak të madhësisë së tyre, KSHZ-ja mund ta zgjasë lehtësisht afatin e votimit për 24 orë.

Edhe sipas LSDМ-së opozitare teza për fletëvotimet “konfuze” për shkak të kandidatëve të pavarur është absurde. “Edhe në zgjedhjet e kaluara lokale kishte një numër të madh kandidatësh dhe listash të pavarura në komuna, e kjo nuk ishte pengesë”, thonë nga LSDM-ja dhe thonë se Maqedonia duhet të ketë zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike në të cilat qytetarët do ta shprehin qartë vullnetin e tyre.