KSHZ-ja miratoi Udhëzimet për numrin e këshilltarëve në komuna, Shehu paralajmëroi padi në Gjykatën Administrative
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi sot Udhëzimin për plotësimin e formularit të listave për kandidatët për anëtarë të këshillave të komunave dhe të Qytetit të Shkupit, me 5 vota për dhe 1 kundër, transmeton Portalb.mk.
Anëtarja e BDI-së, Ditmire Shehu është deklaruar kundër Udhëzimit. Ajo njoftoi se do ta kontestojë këtë udhëzim para Gjykatës Administrative.
Ndërsa, nga ana tjetër, kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, tha se ata nuk kanë kompetenca të hyjnë në përmbajtjen e vendimit të Qeverisë dhe nuk kanë mundësi tjetër ligjore përveç të veprojnë sipas tij.
Në lidhje me miratimin e Udhëzimit erdhën reagime të shumta nga opozita shqiptare.
Nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës thonë se vendimin e KSHZ-së do ta ankimojmë në Gjykatë Kushtetuese nëse Gjykata Adninistrative nuk e shfuqizon atë.
“Vendimi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor për zvoglimin e numrit të këshilltarëve në shumë komuna, është ANTIKUSHTETUES. Ftojmë fillimisht Gjykatën Administrative që ti përgjigjet pozitivisht ankesës së anëtares së KSHZ-së dhe të hedh poshtë vendimin e sjellë sot që është në kundërshtim të hapur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Kujtojmë opinionin se as ndryshimet ligjore të propozuara nga shumica aktuale e që kishin për qëllim uljen e numrit të këshilltarëve komunal NUK KALUAN në Kuvend”, thuhet në reagimin e partisë.
Përveç kësaj, shkruan tutje në reagimin e partisë, grupi parlamentar i Frontit Europian ju drejtua me shkresë Gjykatës Kushtetuese ku në përgjigjen e tyre përsëritet se vendimi i Qeverisë është i shfuqizuar dhe nuk ka fuqi juridike për të gjitha vendimet në të ardhmen.
“Në kundërshtim me këtë vendim, KSHZ ka bërë pikërisht të kundërtën, ka marë për bazë vendimin e Qeverisë i cili është shfuqizuar dhe ndalohet të përdoret si bazë për vendimet në të ardhmen. Çdo tentim për të mbajtur zgjedhjet sipas një vendimi ANTIKUSHTETUES të Qeverisë dhe tani edhe të KSHZ-së, rrezikon procesin zgjedhor të zgjedhjeve lokale, ndërsa do të ketë edhe pasoja penale për anëtarët e KSHZ dhe të gjitha subjektet që do të tentojnë të shkelin Kushtetutën dhe të organizojnë zgjedhje ANTIKUSHTETUESE”, përfundoi reagimi.
Deputetja e Frontit Europian, Dijana Toska ka shkruar në reagimin e saj se “fryma antishqiptare e qeverisë VMRO-svlen po reflektohet edhe në KSHZ”.
“Ne si Front Europian, votuam kundër Propozim ligjet për Vetqeverisje lokale dhe Kodin zgjedhor që burojnë nga Qeveria ugurzeze me qëllim të zvoglimit të numrit të këshilltarëve komunal. KSHZ-ja duhet të ketë kujdes dhe të veprojë drejtë dhe sipas Kushtetutës e jo sipas vendimit të qeverisë! Miq, me këtë vendim zvogëlohet numri i këshilltarëve në Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe në disa komuna tjera, 14 në total. Prandaj, të kemi kujdes me 19 tetor se këto zgjedhje se nuk janë të rëndomta, por janë REFERENDUM për ti thënë mjaftë më kësaj të keqeje që e ka gjetë popullin tonë me këta vasalë! P.S. Pse anëtari i VLEN nuk shkoi për të mbrojtur numrin e këshilltarëve në komunat shqiptare? Kush ia ndaloi!?”, shkroi deputetja Toska.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dje reagoi ndaj vendimit të Qeverisë për uljen e numrit të këshilltarëve komunalë, duke e cilësuar këtë veprim si antikushtetues dhe në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
“BDI kërkon respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ka anuluar këtë vendim, si dhe garantimin e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të të gjitha komunave, pa përjashtuar diasporën shqiptare. Partia thekson se veprimet e Qeverisë përbëjnë përpjekje për të deformuar përfaqësimin e shqiptarëve në mënyrë artificiale” u theksua në reagimin e partisë.
Kujtojmë se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.