Rusia nisi sulm vdekjeprurës në Kiev, Moska sulmohet me dronë
Rusia nisi një valë të re sulmesh me dronë në Kiev në orët e hershme të 30 majit, duke vrarë të paktën një person dhe duke plagosur disa të tjerë, thanë autoritetet ukrainase. Ndërkohë, një sulm me dronë në Moskë ka shkaktuar dëme të vogla në disa ndërtesa, thanë zyrtarët, transmeton REL.
Kryetari i kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin, tha se nuk ka pasur lëndime serioze. Ekipet emergjente kanë dalë “në skenën e incidenteve”, tha ai. Ende nuk është e qartë se prej ku erdhën dronët që kryen sulmet.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale u pa tym në qiellin e Moskës. Në pamje të tjera janë parë xhama të thyer të dritareve të ndërtesave.
Sobayninn tha se disa banorë janë evakuuar. Në platformën Telegram u raportua se më shumë se dhjetë dronë u rrëzuan në rajonin e Moskës.
Ndërkohë, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha në Telegram se zjarre shpërthyen në disa lagje të kryeqytetit, përfshirë një ndërtesë të lartë në lagjen Holosiyivskiy të Kievit.
“Një person vdiq. Gjithsej katër viktima u shtruan në spitalin e rrethit të Holosiyivskiy. Mjekët ofruan ndihmë në vendngjarje”, shkroi Klitschko, duke shtuar se 20 persona u evakuuan nga ajo zonë.
Ushtria ukrainase tha se sulmi u krye vetëm me dronë të prodhuar nga Irani dhe zgjati nga pak para mesnatës deri në orën 4:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale.
“Gjithsej 31 dronë kamikazë sulmuan nga veriu dhe jugu. Forcat e mbrojtjes ajrore shkatërruan 29 dronë”, tha ushtria ukrainase.
Pothuajse të gjithë dronët u rrëzuan në periferi të Kievit dhe mbi kryeqytet.
Një oficer ushtarak i cili nuk donte të identifikohej publikisht i tha Radios Evropa e Lirë se sulmi i fundit rus në Kiev ishte një “dështim” sepse sistemi i mbrojtjes ajrore i Ukrainës arriti ta zmbrapsë atë plotësisht.
“Është fryma e fundit e Rusisë”, tha ai.
Ndërsa, guvernatori i rajonit Belgorod të Rusisë, i cili kufizohet me provincën Harkiv të Ukrainës, tha më 29 maj se forcat ukrainase po bombardonin disa vendbanime kufitare.
Guvernatori Vyacheslav Gladkov tha në Telegram se dy objekte industriale në qytetin kufitar Shebekino ishin granatuar dhe katër punonjës ishin plagosur.
Disa fshatra mbetën pa energji elektrike si pasojë e bombardimeve, shtoi ai.
Belgorod ka qenë vazhdimisht nën sulme nga forcat ukrainase që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.
Të përforcuara nga pajisjet e sofistikuara të furnizuara nga perëndimi, mbrojtja ajrore e Ukrainës ka arritur të pengojë sulmet ajrore ruse – si dronët, ashtu edhe raketat e avionëve.
Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë në Ukrainë pas një periudhe prej gati dy muajsh më të qetë, duke sulmuar objektet dhe furnizimet ushtarake disa herë në javë.