BE-ја me instrumente të reja në luftën kundër korrupsionit 

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Lufta kundër korrupsionit po bëhet një temë gjithnjë e më aktuale në Bashkimin Evropian, sigurisht e “stimuluar” nga skandalet e korrupsionit, e sidomos nga Katargate.

Në fillim të muajit maj Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë e publikuan Komunikatën e përbashkët për luftën kundër korrupsionit. Komunikata është e përbashkët sepse ka të bëjë me politikat dhe propozimet në lidhje me luftën kundër korrupsionit brenda Bashkimit Evropian (kompetencë e Komisionit) dhe ato që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit në marrëdhëniet e jashtme (për të cilat është kompetent Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë).

Në argumentimin për propozimet janë dhënë rezultatet e Eurobarometrit special – hulumtim i opinionit publik të qytetarëve, si dhe anketa për qëndrimet e biznesit për korrupsionin, të publikuara në korrik të vitit 2022. Pothuajse shtatë nga dhjetë evropianë (68%) besojnë se korrupsioni është i përhapur gjerësisht në vendin e tyre dhe vetëm 31% i vlerësojnë si efektive përpjekjet e qeverisë së tyre për ta luftuar korrupsionin. Krahas kësaj, më shumë se gjysma e kompanive me seli në BE (51%) mendojnë se ka shumë pak gjasa që njerëzit ose bizneset e korruptuara në vendin e tyre të kapen ose të raportohen në polici ose prokurori. Sigurisht që kjo është një mesatare, diferencat midis shteteve anëtare janë të mëdha.

Masat kryesore të propozuara janë:

  1. Propozimi i një Direktive për luftën kundër korrupsionit;
  2. Propozime për Rregullativa dhe të një Vendimi të Këshillit për masa kufizuese kundër akteve të rënda të korrupsionit.

 

  1. Direktiva e re do të konsolidojë kornizën evropiane për luftën kundër korrupsionit, duke e zëvendësuar Konventën e deritanishme për luftën kundër korrupsionit në raport me zyrtarët dhe Vendimin kornizë për luftën kundër korrupsionit në sektorin privat. Në procedurë është edhe propozim direktiva për kthimin dhe konfiskimin e pronës.

Sipas shpjegimeve të vlerësimit të rregullativës që e shoqëron këtë direktivë, opsioni i propozuar i transponon dispozitat e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Luftën kundër Korrupsionit në një akt të BE-së, por në disa aspekte të caktuara i tejkalon detyrimet ndërkombëtare. Kjo veçanërisht vlen për vendosjen e niveleve minimale për kufirin e sipërm të dënimeve.

Propozohet harmonizimi i definicioneve, por edhe i dënimeve për disa vepra që lidhen me korrupsionin. Krahas definimit të ryshfetit, propozohen edhe definicione për përvetësimin, tregtinë me ndikim, keqpërdorimin e detyrës, si dhe pengimin e drejtësisë dhe pasurimin e paligjshëm lidhur me aktet e korrupsionit. Gjithashtu propozohet rritja e dënimeve dhe harmonizimi i rrethanave rënduese dhe lehtësuese, si dhe afate më të gjata të vjetërsimit të veprës (8-15 vjet).

Parashihen edhe shumë detyrime të shteteve anëtare për të ndërmarrë një sërë aktivitetesh preventive, për të pasur një organ të posaçëm që do të merret me luftën kundër korrupsionit, për të siguruar fonde të mjaftueshme për autoritetet dhe organet kompetente, si dhe trajnime, madje edhe detyrimin për të mbledhur dhe për të dhënë të dhëna statistikore uniforme për korrupsionin. Shtetet anëtare do të kenë gjithashtu detyrimin që t’i sigurojnë instrumentet e duhura hetimore, si dhe procedura efektive për heqjen e imunitetit.

Planifikohet krijimi i një Rrjeti të BE-së kundër korrupsionit me përfaqësues të subjekteve qeveritare dhe joqeveritare. Ndër detyrat e tij do të jetë edhe hartimi i fushave të ndryshme të rrezikut nga korrupsioni dhe të kontribuojë në krijimin e Strategjisë së BE-së për ta luftuar korrupsionin.

  1. Rregullativa dhe vendimi për masat kufizuese në luftën kundër korrupsionit do t’i mundësojë Bashkimit të miratojë masa kufizuese ndaj vendeve të treta kur aktet e korrupsionit ndikojnë seriozisht ose rrezikojnë të prekin qëllimet e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.

Në komunikatë në mënyrë specifike theksohet se “respektimi i sundimit të ligjit dhe reformave kundër korrupsionit e përcaktojnë dukshëm ritmin e përparimit të vendeve kandidate drejt anëtarësimit në BE”. Në instrumentet e ndjekjes, krahas raportit vjetor dhe misioneve të vlerësimit, përmendet edhe një e-platformë e re për mbledhjen sistematike të të dhënave për krimin e organizuar dhe korrupsionin, pas çka do të formohet një “panel për kontroll” i bazuar në Indikatorët kryesorë të performancës (Key Performance Indicators).

Qëllimi është që pakoja të miratohet deri në fund të këtij mandati të Komisionit – pra brenda një viti, ndërsa shtetet anëtare do të kenë dy vjet kohë ta përkthejnë atë në sistemin e tyre juridik.

Formimi i një organi të veçantë horizontal në BE për etikën që do t’i mbulonte të gjitha institucionet, siç kërkonte Parlamenti Evropian në Rezolutën e tij, por dhe sektori joqeveritar, nuk është pjesë e këtyre propozimeve. Përfaqësuesit e Komisionit premtuan një propozim të tillë deri në fund të këtij muaji.