Në vendet e Ballkanit Perëndimor institucionet janë të brishta, ndërsa zërat e shoqërisë civile janë përjashtuar, vlerësoi raporti

Organizata Freedom House thotë se ndikimi i luftës në Ukrainë, si pasojë e agresionit rus, u ndje gjatë vitit të kaluar në 29 vendet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore që analizohen në raportin e saj “Vendet në Tranzicion”, raporton VOA.

Në raportin e këtij viti titulluar “Lufta thellon ndasitë rajonale” që analizon zhvillimet e vitit 2022 dhe që u bë publik të mërkurën, thuhet se në vend që t’i forconin lidhjet në rajon, “kërcënimet e sigurisë, kriza historike e refugjatëve dhe problemet ekonomike të lidhura me konfliktin, kanë thelluar hendekun mes autokracive dhe demokracive dhe kanë shkaktuar ndryshime përçarëse në politikat e jashtme të qeverive të veçanta”.

“Megjithëse disa vende bënë zgjedhje të qarta në favor të një të ardhmeje më demokratike gjatë vitit 2022, rezultati i përgjithshëm ishte një vit i 19-të me radhë të rënies së demokracisë në rajon”, thuhet në raport.

Ballkani Perëndimor mes Shpresës dhe Zhgënjimit

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, joanëtare të BE-së ishin regjime hibride/demokraci në tranzicion dhe institucionet demokrative vazhduan të ishin të brishta në vitin 2022. Sipas raportit, në vendet e Ballkanit Perëndimor, zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve janë përjashtuar.

“Në gjithë Ballkanin Perëndimor, politika e përqendruar tek elitat dhe diplomacia, kanë përjashtuar zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve të thjeshtë, duke lejuar që udhëheqës anti-demokratikë dhe autoritarë kontrollojnë të ardhmen e vendit”, thuhet në raport.

Përmirësimet modeste në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ishin në barazpeshë me rëniet në Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa rezultati i Serbisë mbeti i pandryshuar.

Megjithëse rezultatet në raport e vendosin Shqipërinë pranë Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në aspektin e zhvillimit demokratik, sondazhet sugjerojnë se shqiptarët janë më shumë optimistë se anëtarësimi në BE, do të ofrojë jo vetëm mirëqenie ekonomike, por edhe përmirësim të standardeve demokratike.

Alexandra Karppi e organizatës Freedom House thotë se angazhimi i shtuar i BE-së dhe SHBA-së si në bisedimet Kosovë-Serbi, edhe më gjerë në rajon është është diçka pozitive.

“Megjithatë këto janë procese të drejtuara nga elita që mund të bëjnë më shumë për të pasqyruar perspektivën e qytetarëve dhe aktorëve joqeveritarë”, thotë ajo.

Qytetarët e vendeve kandidate të BE-së vazhduan të mbështesin në masën më të madhe anëtarësimin në bllok. Megjithatë ata dyshojnë se anëtarësimi do të vijë së shpejti.

Serbët janë një përjashtim i qartë, me skepticizmin më të lartë për përfitimet nga anëtarësimi.

Sipas raportit, mungesa e shpresës ka kontribuuar në eksodin nga rajoni. Një e pesta e të lindurve në Ballkanin Perëndimor, janë larguar nga vendet e tyre.

Raporti sugjeron nevojën e një riangazhimi energjik nga BE-ja për integrimin dhe paralajmëron se braktisja nga Perëndimi hap rrugën për ndërhyrje dhe ndikim nga fuqitë autoritare.

“Kjo shihet nga përpjekjet e vazhdueshme të Moskës për të përhapur dezinformim dhe krijuar lidhje politike në rajon”, thuhet në raport.

Por Freedom House thekson se janë udhëheqësit e vendeve që duhet të sjellin përparimin demokratik për qytetarët e tyre.