Edhe pak RMV e mbaron skriningun, por pastaj duhet ta kryejë punën më të vështirë

Skriningu me Bashkimin Evropian pritet të përfundojë brenda afatit të paraparë prej 16 muajsh. Përkatësisht, i njëjti, nënvizojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane, duhet të kryhet në nëntor të këtij viti. Megjithatë kjo nuk përbën fillimin e rrugëtimit të negociatave, pasi paraprakisht RMV duhet t’i ketë bërë ndryshimet kushtetuese që duket se nuk do të jenë një punë e lehtë për shkak të kundërshtimit nga VMRO-ja, partia opozitare me më shumë deputetë  në kampin politik maqedonas. Sidoqoftë, sa i përket harmonizimit me legjislacionin e BE-së, SÇE është optimiste që është çështje e kryer, shkruan Portalb.mk.

“Skriningu po ecën pa ndërprerje, siç është parashikuar së bashku me Komisionin Evropian dhe pritet që të përfundojë sipas agjendës tashmë të rënë dakord, në fund të nëntorit. Të gjitha takimet janë mbajtur në kohë dhe jemi pothuajse në gjysmë të rrugës së skriningut. Kemi përfunduar takimet e skriningut shpjegues për 4 klasterë, na mbesin të dëgjojmë edhe të rejat në legjislacionin e BE-së për klasterin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni” dhe “Marrëdhëniet e jashtme”, thonë nga SÇE.

Skriningu dypalësh është përfunduar plotësisht për klasterët 1 dhe 2, gjegjësisht “Vlerat Themelore” dhe “Tregun e brendshëm”. Kanë mbetur edhe 4 kapituj për të përfunduar Klasterin 3, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, Kapitulli 26, “Arsimi dhe Kultura”, Kapitulli 20, “Ndërmarrja dhe politika industriale” dhe Kapitulli 29, “Bashkimi Doganor” dhe 17, “Ekonomi dhe bashkimi monetar”, të cilat janë planifikuar të përfundojnë javën e parë të qershorit. Domethënë për prezantim na mbesin edhe kastër klasterë 4, 5 dhe 6, përkatësisgt Agjenda e gjelbër, Bujqësia dhe Politika e jashtme.

Skriningu RMV-BE, foto: Portalb.mk
Skriningu RMV-BE, foto: Portalb.mk

“Ne kemi bërë disa herë analiza dhe sipas tyre deri më tani kemi rreth gjysmën, përkatësisht 45 për qind përputhshmëri me legjislacionin evropian. Këto 45 për qind të rregulloreve evropiane i kemi harmonizuar para skriningut. Kjo do të thotë se tani atij 45 për qind duhet t’i shtojmë rregulloret e reja, të cilat janë miratuar në tre vitet e fundit. Ne do t’i marrim ato me Raportet nga procesi i skriningut, për secilin klaster veç e veç. Atëherë do të kemi pasqyrë më të qartë se në cilat fusha duhet të harmonizojmë legjislacionin evropian. Presim që pas Raporteve përqindja të jetë shumë më e lartë, sepse kemi lëvizur që nga fillimi i skrinigut, dhjetëra ligje që kanë kaluar në Kuvend, por ka edhe ligje që lidhen me Programin Kombëtar për miratimin e Ligjit të BE-së, por kanë ngecur në Parlament”, deklarojnë në Sekretariati për çështje evropiane.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Sidoqoftë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve apo me votat e 80 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Shumica parlamentare ka 74 deputetë, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Dimitar Kovaçevski, Oliver Varhelji. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Dimitar Kovaçevski, Oliver Varhelji. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Megjithatë, Instituti Maqedonas për Demokraci, pas analizimit të konkluzioneve të Këshillit të Evropës, të miratuara pas nënshkrimit të Protokollit me Bullgarinë në korrik të vitit të kaluar, vlerëson se përfshirja e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut nuk është kushti i vetëm për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. 

Sipas këtij instituti, edhe pse nuk përmenden në mënyrë eksplicite, aty janë përfshirë edhe çështje të tjera që Shkupi duhet t’i përmbushë, si çështjet historike në tekste shkollore, dallimet gjuhësore dhe gjuha e urrejtjes, mospërmbushja e të cilave, sipas institutit – në një fazë të mëvonshme – mund të pengojë procesin e integrimit evropian të vendit.