RMV, katër raste të reja me kollë të madhe, Mexhiti do ta nënshkruajë dokumentin për shpalljen e epidemisë në Shkup

Katër raste të reja të kollës së madhe janë regjistruar në vend, tha zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zlate Mehmedoviq. Me këto raste, numri total i të infektuarve që nga fillimi i vitit është 22. Ka fëmijë të shtruar në spital si dhe të rritur me pertusis (kollë të keqe), transmeton Portalb.mk.

Komisioni dje ka propozuar shpalljen e epidemisë në territorin e Shkupit. Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë Teknike, Fatmir Mexhiti, sot në brifing me gazetarët tha se do të nënshkruajë dokumentin për shpalljen e epidemisë së kollës së madhe në Shkup.

“Tashmë shërbimet më kanë njoftuar se gjithçka është proceduar dhe prej andej do të shkoj ta nënshkruaj dhe do ta dërgojmë në pikat e vaksinimit që të hyjë në fuqi menjëherë”, është përgjigjur Mexhiti i pyetur për procedurën e shpalljes së epidemisë së kollës.

Mexhiti tha gjithashtu se rekomandimi i Komisionit për Sëmundjet Infektive për ndalimin e pranimit të fëmijëve të pavaksinuar në kopshte duhet kuptuar në kontekst pozitiv.

“Ky nuk është ndalim ose duam të ndëshkojmë dikë. Kjo është ajo që ne duam t’i stimulojmë ata, duam që fëmijët e tyre të jenë të shëndetshëm dhe të gjallë, të kenë një të ardhme më të mirë si vend. U bëj apel të gjithë prindërve, ju lutemi, vaksinat mbrojnë jetën”, nënvizoi Mexhiti.

Komisioni rekomandoi dje ndalimin e pranimit dhe regjistrimit të fëmijëve në kopshte që nuk janë vaksinuar kundër pertusisit. Fokusi është në mbrojtjen e më të vegjëlve, tek të cilët kjo sëmundje mund të jetë dhe është praktikisht më e rënda. Komisioni pret që këto masa të nxisin interesin për vaksinim.

Megjithatë, autoritetet thonë se situata në Maqedoni është stabile. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, deri më tani nuk është raportuar asnjë vdekje.