Vazhdojnë protestat: Punuan jashtë mbi 183 ditë, por DAP nuk ua njeh statusin e jorezidentit (Video)

Revolta e qytetarëve që kanë punuar në Irak dhe Afganistan ka vazhduar edhe sot me protestë në Tetovë. Ata kundërshtojnë tatimet që Drejtoria e të Ardhurave Publike u kërkon t’i paguajnë për periudhën sa kanë punuar jashtë vendit, duke theksuar se këto kërkesa janë të jashtëligjshme, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët të cilët kanë punuar jashtë thonë se shumë prej tyre kanë qëndruar jashtë vendit mbi 183 ditë dhe sipas ligjit për tatimin personal duhet të trajtohen si jorezidentë tatimorë, por ky status nuk na njihet nga DAP.

Ata thonë se DAP u kërkon dëshmi të cilat ata tani nuk mund t’i sigurojnë nga vendet ku kanë punuar.

Besir Abdullai nga qytetarët që protestuan tha se padrejtësia vazhdon dhe institucionet ende nuk reagojnë.

“Ne si këshill organizativ qytetar kemi ndërmarrë hap konkret institucional, kemi dërguar letër zyrtare te të gjitha partitë politike, jo për të kërkuar ndihmë politike, jo për përkrahje partiake por për të kërkuar zgjidhje institucionale dhe ligjore dhe për të ftuar ata për të bërë punën që u takon. Kërkesat tona janë të qarta dhe publike”, tha Abdullai.

Ai tha se kërkojnë hapjen e debatit publik dhe parlamentar sepse një çështje që prek mijëra qytetarë nuk mund të zgjidhet me vendime administrative të mbyllura.

“Kërkojmë takim urgjent me drejtoreshën e DAP-it për praktikën e vendimeve me efekt retroaktiv, për interpretimin e rezidencës tatimore dhe rregullit të 183 ditëve… Nuk jemi të gatshëm të paguajmë gabimet institucionale”, tha Abdullai.

Qytetarët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta derisa të dëgjohet zëri i tyre.

Nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske të Portalb.mk për këtë çështje.

Para pak ditëve, drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike, Elena Petrova ka theksuar se tatimi i të ardhurave të qytetarëve që kanë punuar jashtë vendit është detyrim ligjor i përcaktuar në Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat Personale dhe nuk bëhet fjalë për tatim retroaktiv.

Ajo shpjegoi se detyrimi ishte në fuqi në vitin 2020, por shumica sot përballen me probleme në sigurimin e provave për taksën e paguar jashtë vendit.

Prandaj, DAP po merr masa, siç tha, për të përmbushur nevojat e tyre, duke përfshirë marrjen e të gjitha llojeve të provave dhe inicimin e bashkëpunimit administrativ me administratat tatimore të huaja.

Petrova paralajmëroi se vendimet paraprake do të zëvendësohen me vendime përfundimtare për vitin 2020 dhe se procesi i korrigjimit do të pezullohet derisa të merren të gjitha të dhënat e nevojshme.

Më 13 dhjetor 2025, qytetarët u befasuan nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë Maqedonisë.

Disa prej tyre thanë se nuk janë të informuar mjaftueshëm për detyrimin e deklarimit të rregullt të këtyre të ardhura, ndërsa të tjerë kishin theksuar se njoftimet nga DAP-i u kishin ardhur me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë.

Pas kësaj, qytetarët të cilët kanë punuar jashtë kanë mbajtur disa protesta, kryesisht në Tetovë dhe Kumanovë.