“Drejtoria për Abuzim Publik”: Qytetarët protestuan në Tetovë kundër DAP-it për tatimet kur kanë punuar jashtë vendit (Video)
Një grup i qytetarëve kanë protestuar sot para Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Tetovë për tatimet të cilat u kërkohen të paguhen gjatë kohës që ata kanë punuar jashtë vendit në Irak dhe Afganistan, që sipas tyre është joligjore, shkruan Portalb.mk.
Qytetarët të cilët kanë qenë të angazhuar nga kompanitë amerikane në bazat ushtarake në Afganistan dhe Irak, sot para DAP-it në Tetovë shqetësime lidhur me tatimet retroaktive ku DAP filloi tu dërgojë tatime të cilat nuk janë paguar dhe të cilat nuk është dashur të paguhen për para pesë viteve.
“Lidhur me tatimet retroaktive, DAP krijon pasiguri juridike dhe barë të padrejtë financiare ndaj qytetarëve. Këto masa prekin qytetarët që kanë punuar jashtl vendit, shpesh në zona të rrezikshme dhe të prekura nga konfliktet. Duke siguruar të ardhura për familjet tona dhe duke kontribuuar në ekonominë e vendit, pasi shumica e këtyre mjeteve financiare janë investuar edhe brenda shtetit, shumë prej tyre kanë qëndruar jashtë vendit mbi 183 ditë dhe sipas ligjit për tatimin personal duhet të trajtohen si jorezidentë tatimorë, ky status nuk na njihet nga DAP. Dëshmitë për qëndrim dhe punë jashtë shtetit nuk merren parasysh nga punonjësit e drejtorisë”, tha një qytetar.
Ata thonë se nuk janë kundër tatimeve, por kundërshtojnë ngarkesën e padrejtë dhe retroaktive.
“Neve na vjedhin me një fjalë, ne shkuam atje për të mbajtur familje, paratë i harxhuam këtu, kjo nuk është njerëzore dhe duhet shteti për këtë të jep përgjijge dhe të na lirojë nga këto taksa”, tha një qytetar.
Protestuesit kërkojnë nga DAP pezullimin e vendimeve tatimore me efekt retroaktiv, njohje e dokumentacionit për statusin e jorezidentit pa kërkuar formalitete shtesë, qartësim dhe transparencë institucionale, hapja e dialogut për zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, udhëzime të qarta për trajtimin tatiomor për qytetarët të angazhuar në misione ndërkombëtare.
“Ne i drejtohemi drejtpërsëdorejti qeverisë të merr masa. Kjo është e palogjikshme, ne jemi të gjithë invalida prej punëve të Irakut dhe Afganistanit. Ky ligj është abnormal”, tha një qytetar.
Ata paralajmëruan se do të vazhdojnë me protesta, ndërsa tubime të tilla ka pasur edhe në Kumanovë.
Më 13 dhjetor, qytetarët u befasuan nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë Maqedonisë. Disa prej tyre thanë se nuk janë të informuar mjaftueshëm për detyrimin e deklarimit të rregullt të këtyre të ardhura, ndërsa të tjerë kishin theksuar se njoftimet nga DAP-i u kishin ardhur me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë.
- LEXO: Qytetarët e RMV-së protestojnë para DAP-it për periudhën kur kanë punuar në bazat ushtarake amerikane
- LEXO: Mijëra qytetarë morën kërkesa nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, për pagesën e të ardhurave nga jashtë
- LEXO: Vendimi i DAP-it për të mbledhur tatim nga të ardhurat e padeklaruara jashtë shtetit ka shkaktuar reagime