Vendimi i DAP-it për të mbledhur tatim nga të ardhurat e padeklaruara jashtë shtetit ka shkaktuar reagime
Qytatarët ndjehen të befasuar nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë vendit. Disa qytetarë pretendojnë se nuk janë informuar mjaftueshëm për detyrimin që të deklarojnë rregullisht këto të ardhura, ndërsa të tjerë theksojnë se njoftimet nga DAP-i u vijnë me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë, raporton Alsat.
Sipas ekspertit tatimor, Sllavko Llazovski, çdo e ardhur, nga vendi apo jashtë tij, duhet të deklarohet dhe të tatohet sipas rregullave ligjore. Ai shpjegon se qytetarët duhet të dinë se DAP ka të drejtë ligjore të zhvillojë procesin e arkëtimit të taksave deri në skadimin e afatit të vjetërsimit, dhe kjo gjithmonë në favor të buxhetit, përveç nëse obliguesi tatimor vetë nuk thirret në vjetërsim.
“Gjithçka është e lejuar brenda afatit të vjetërsimit të borxhit tatimor, i cili është rreth gjashtë vjet ose viti në të cilin ka ndodhur borxhi tatimor plus pesë vjet. Pas përfundimit të vitit të pestë, atëherë ndodh vjetërsimi. Është interesante që vjetërsimi është e drejtë në të cilën mund të thirret vetëm obliguesi tatimor, por DAP nuk mund të veprojë për vjetërsim sipas detyrës zyrtare, ajo do të vazhdojë rregullisht procedurën dhe gjithmonë do të kërkojë borxhin tatimor. Edhe pasi të ndodhë vjetërsimi dhe nëse obliguesi tatimor thirret, ai ka të drejtë pas 10 – 15 – 20 vjetësh, nëse dëshiron, ta paguajë vullnetarisht tatimin, vjetërsimi është pengesë që DAP të mos fillojë arkëtimin e borxhit kundër tatimpaguesit”, tha Sllavko Llazovski – Ekspert Fiskal.
Llazovski shpjegon se, nëse Drejtoria e të Ardhurave Publike e njofton tatimpaguesin në vitin e katërt pas konstatimit të borxhit, ai automatikisht rinovohet për pesë vjet të tjera. Kjo do të thotë se detyrimi për tatim nuk vjetërsohet aq shpejt.
“Mosdija nuk është justifikim para ligjit, borxhi ndodh dhe ai duhet të paguhet, e vetmja që mund ta fshijë dhe ta falë borxhin është vetëm organi legjislativ, askush tjetër”, shtoi Sllavko Llazovski – Ekspert Fiskal.
Në pyetjen e televizionit Alsat drejtuar Qeverisë, pse në të kaluarën nuk janë kryer kontrolle për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat personale, ata u përgjigjën se detyrimi nuk ishte përfunduar nga Qeveria e mëparshme.