Anuloni vendimet retroaktive: Qytetarët protestuan para DAP-it në Tetovë (Video)

Qytetarët sot protestuan përsëri para Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Tetovë për tatimet të cilat u kërkohen të paguhen gjatë kohës që ata kanë punuar jashtë vendit, ata thonë se kjo është e jashtëligjshme, raporton Portalb.mk.

Qytetarët të cilët kanë punuar kryesisht në Irak dhe Afganistan përmes kompanive amerikane theksojnë se nuk janë kundër tatimeve, por kundërshtojnë ngarkesën e padrejtë dhe retroaktive.

Ata shprehen se shumë prej tyre kanë qëndruar jashtë vendit mbi 183 ditë dhe sipas ligjit për tatimin personal duhet të trajtohen si jorezidentë tatimorë, por ky status nuk na njihet nga DAP.

Fariz Bajrami në emër të protestuesve kërkoi të anulohen të gjitha vendimet e marra me efekt retroaktiv.

“Nuk mundet të pranohet që qytetarët të detyrohen sot për detyrime që në kohën kur janë krijuar nuk kanë ekzistuar ose janë interpretuar ndryshe. Kërkojmë që të gjitha vendimet tashmë të nxjerra mbi bazë retroaktive të anulohen dhe pdo procedur e tillë të ndalet deri në sqarimin e plotë ligjor”, tha Bajrami.

Ata kërkojnë përfshirjen e ekspertëve të pavarur për interpretim të drejtë të ligjit për tatim, veçanëritsht për çështjen e rezidencës tatimore dhe rregullin e 183 ditëve e më shumë, si dhe hapje të debatit në Parlament.

Qytetarët paralajmëruan se do të vazhdojnë me protestën derisa të dëgjohet zëri i tyre.

Protesta të ngjashme ka pasur edhe në Kumanovë.

Më 13 dhjetor 2025, qytetarët u befasuan nga vendimi i Drejtorisë së të Ardhurave Publike për mbledhjen e taksës mbi të ardhurat e padeklaruara nga jashtë Maqedonisë. Disa prej tyre thanë se nuk janë të informuar mjaftueshëm për detyrimin e deklarimit të rregullt të këtyre të ardhura, ndërsa të tjerë kishin theksuar se njoftimet nga DAP-i u kishin ardhur me vonesë, për të ardhura të realizuara vite më parë.