Varheyi mbështet qëndrimin e Charles Michel për zgjerimin e BE-së me anëtarë të rinj deri në vitin 2030

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varhei, ka mbështetur qëndrimin e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, se deri në vitin 2030 Unioni duhet të jetë gati për pritjen e shteteve të reja anëtare, shkruan Politico.eu, duke theksuar se bie ndesh me qëndrimin e shefes së Varhey-t – presidentes së Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, transmeton Portalb.mk.

Sipas shkrimeve të portalit, eurokomesari Varheyji nuk pajtohet me qëndrimin e Komisionit Evropian se nuk duhet të ketë datë të synuar për zgjerimin e BE-së, gjë që shtron pyetjen e unitetit të brendshëm të pushtetit ekzekutiv të Unionit lidhur me këtë temë kyçe.

Duke iu referuar kornizës kohore të zgjerimit të propozuar nga Charles Michel, komisioneri evropian Varhei tha dje gjatë vizitës së tij në Ankara se Komisioni duhet të jetë gati për të pritur anëtarë të rinj deri në vitin 2030.

“Nga ana jonë, ne kemi punuar pa u lodhur drejt këtij qëllimi – kështu që jam shumë i lumtur që më në fund shoh që vendet anëtare gjithashtu kanë filluar të lëvizin dhe mobilizohen politikisht dhe janë të gatshëm të investojnë politikisht për të pasur anëtarë të rinj të BE-së deri në vitin 2030”, tha Varheyi në konferencën për shtyp në Ankara me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan.

Kjo, siç thekson sërish portali më tej në lajmin e shkurtër, është largim nga linja zyrtare e Komisionit Evropian se zgjerimi i BE-së është një “proces i bazuar në merita”, pa një datë zyrtare për përfundimin e tij.

Varhei nuk është zyrtari i parë i lartë i BE-së që mbështet një afat kohor më ambicioz për zgjerimin e BE-së, raporton Politico.eu.

Përndryshe, Komisioneri Evropian Varheyi përshëndeti qëndrimin e Charles Michel një javë më parë, duke shtuar se Komisioni Evropian ka qenë gjithmonë i gatshëm të bëjë çdo propozim që do të na çonte drejt zgjerimit në vitin 2030.

Javën e kaluar, gjegjësisht më 28 gusht, kryetari i Këshillit Evropian në fjalimin e tij në Samitin Strategjik të Bledit, ku mori pjesë edhe delegacioni qeveritar i Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovacevski, tha se deri në vitin 2030, të dyja palët – BE-ja dhe vendet kandidate – ato duhet të përgatiten për një zgjerim të ri të Bashkimit Evropian.

“Po, besoj se kështu duhet t’i quajmë tani vendet me perspektivë të konfirmuar të BE-së, shtetet e ardhshme anëtare. Është koha për të përballuar sfidat me qartësi dhe ndershmëri. Rruga drejt BE-së për Ballkanin Perëndimor filloi më shumë se 20 vjet më parë. Samiti i Selanikut, në vitin 2003, konfirmoi perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por ritmi i ngadaltë i këtij udhëtimi në BE ka zhgënjyer shumë. Dhe në rajon… dhe në BE. Jam dakord me kancelarin Scholz kur thotë se Evropa duhet të përmbushë premtimet e saj. Pra, tani zgjerimi nuk është më një ëndërr. Është koha për të ecur përpara. Për të qenë të besueshëm, besoj se duhet të flasim për kohën dhe detyrat e shtëpisë. Kam edhe një sugjerim. Ndërsa përgatitim agjendën e ardhshme strategjike të BE-së, ne duhet t’i vendosim vetes një objektiv të qartë. Unë besoj se duhet të jemi gati – nga të dyja anët – deri në vitin 2030 për zgjerim. Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm afatgjatë i BE-së do të duhet të përfshijë qëllimet tona të përbashkëta. Kjo është ambicioze por e nevojshme. Kjo tregon se ne jemi seriozë”, theksoi Presidenti i Këshillit Evropian në fjalën e tij, duke shtuar se liderët e BE-së do të diskutojnë zgjerimin në disa nga mbledhjet e ardhshme të Këshillit.

Një ditë pas fjalimit të tij, zëdhënësja e Komisionit Evropian Dana Spinant nuk pranoi të komentojë deklaratën e presidentit të Këshillit Evropian, duke përsëritur se zgjerimi i BE-së është një proces i bazuar në merita dhe se kandidatët duhet të hyjnë në BE kur të jenë gati për të.

“Unë mund të theksoj qëndrimin tonë dhe vizionin tonë për zgjerim dhe mënyrën më të mirë për të menaxhuar procesin. Për ne, thelbi është se zgjerimi është i bazuar në merita dhe duhet të mbetet i bazuar në merita”, theksoi zëdhënësja e KE-së.

Deklarata e presidentit francez Emmanuel Macron, e dhënë në të njëjtën ditë me atë të Charles Michel, por në një ngjarje tjetër, shkaktoi spekulime shtesë për unitetin në Union rreth çështjes së zgjerimit. Macron tha në një takim vjetor me ambasadorët francezë se BE-ja duhet të konsiderojë një “Evropë me shumë shpejtësi” për t’u marrë me zgjerimin.

Deklaratat e dy politikanëve të lartë evropianë u konsideruan kontradiktore nga një pjesë e spektrit politik në vend, përfshirë edhe opozitën VMRO-DPMNE, nga ku dolën me mendimin se kjo është një konfirmim se nuk ka garanci për rrugën e vendit drejt BE-së.

Me shpjegime se nuk bëhet fjalë për deklarata kontradiktore doli ministrja franceze për Evropën, Laurence Boon, e cila në një nga seancat e panelit në samitin në Bled tha se zgjerimi i BE-së është i mundur edhe para vitit 2030, por ajo që nevojitet janë reformat në vetvete të BE-së dhe vendeve kandidate.

Këtë çështje dje në një intervistë për TV Sitel e ka trajtuar shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, David Geer.

“Është e vërtetë që Presidenti (i Këshillit Evropian, Charles Michel) përmendi vitin 2030 (për zgjerimin e radhës të BE-së me anëtarë të rinj), dhe vetë presidenti Macron nënvizon gjithmonë rëndësinë e zgjerimit nga perspektiva e progresit, stabilitet dhe sigurisë. Ajo që më habit vazhdimisht është se si ata që komentojnë, arrijnë t’i kthejnë shanset pozitive që paraqiten, në diçka krejtësisht të kundërt, e zeza bëhet e bardhë dhe e bardha bëhet e zezë. Ky është një shans, ky është një mesazh i qartë për vendet kandidate që i duam brenda, se e duam këtë vend, Maqedoninë e Veriut në BE, ja mundësia juaj, ky është plani”, tha ambasadori evropian Gir.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.