Qeveria e RMV-së përgatiti rritjen e pagave në sektorin publik dhe pensioneve

Qeveria në seancën e 183-të përcaktoi projektligjin me të cilin do të zbatohet rritja prej 10 për qind e pagave në sektorin publik dhe e pensioneve, që hyn në fuqi këtë muaj, njoftoi Shërbimi Informativ i Qeverisë, transmeton Portalb.mk.

“Me rishpërndarjen e mjeteve përmes shfrytëzuesve buxhetorë dhe fondeve për vitin 2023, parashikohen mjete për rritje për 10% të pagave nga shtatori i vitit 2023 dhe pagesë e regresit për pushim vjetor për vitin 2023 në përputhje me përcaktimet e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për punonjësit e sektorit publik; mjete shtesë për rritjen e pensioneve nga muaji shtator 2023; sigurohen mjete për zbatimin e masave për tejkalimin e situatave të paparashikuara në ekonomi, parashikohen mjete shtesë për subvencione në fushën e bujqësisë dhe arsimit; mbështetjen e kompanive vendore dhe të huaja duke siguruar fonde shtesë për ndihmë shtetërore; parashikohen fonde shtesë për pagesën e të drejtave të sigurimeve shoqërore; furnizimi i barnave në fushën e shëndetësisë dhe të ngjashme”, njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë.

Ligji, miratimi i të cilit propozohet, bazohet në parimet e shpenzimit racional, ekonomik, efikas dhe efektiv të fondeve nga shpenzimi i mjeteve nga shfrytëzuesit e Buxhetit dhe ligjshmërinë dhe përgjegjësinë gjatë përdorimit të mjeteve të Buxhetit për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara të Republikës, thonë nga Qeveria.

Pas përcaktimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ekzekutimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Propozim-vendimi, do të dorëzohen në Kuvendin e Republikës së  Maqedonisë Veriut.

Më 18 korrik, u nënshkruar Marrëveshja e re kolektive për sektorin publik ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM).

Ministria e Financave sqaroi që gjatë bisedimeve u vendos që nga marsi i vitit 2025 metodologjia e re e pagave do të llogarit rrogën në bazë të formulës që do të varet nga koeficienti dhe paga mesatare bruto.

“U dakordua që regresi për pushimet vjetore të paguhet në vlerë prej 10.000 denarëve neto për vitin 2023, ndërsa nga viti 2024 e tutje në Marrëveshjen e përgjithshme kolektive është rënë dakord që kjo vlerë të jetë së paku 30% nga paga mesatare neto”, raportoi Ministria e Financave.

Që të realizohet krejt kjo, ministri Besimi do të bën rebalanc te buxhetit në shtator, por nuk tregoi se për sa para do të ketë nevojë, sikur nuk tregoi se nga cilat fusha do të merren.