Vaksinat BCG pritet të arrijnë brenda pak ditësh në Maqedoni, 95 pacientë po trajtohen për tuberkuloz
Vaksinat BCG kundër tuberkulozit pritet të arrijnë në vend brenda pak ditësh, ndërsa është duke u organizuar logjistika për sigurimin e tyre nga depoja qendrore e UNICEF-it. Vaksinat e reja priten pasi Komisioni për Imunizim vendosi ta shtyjë përkohësisht imunizimin me vaksinën BCG të prodhuesit bullgar “Bul Bio”, pasi në Kroaci u raportuan katër raste të dyshuara të osteitit dhe osteomielitit, përkatësisht inflamacionit të indit kockor, te fëmijët e vegjël pas vaksinimit, transmeton Portalb.mk.
Nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) informojnë se janë duke u kryer kontrolle të serive dhe cilësisë së vaksinave, si dhe po shqyrtohet lidhja e mundshme me reaksionet e padëshiruara të raportuara.
“Prindërit duhet të qëndrojnë të qetë. Vetëm marrja e vaksinës BCG nuk do të thotë se fëmija do të zhvillojë reaksion të padëshiruar. Te fëmijët që janë në gjendje të mirë të përgjithshme shëndetësore dhe nuk kanë simptoma, nuk rekomandohen kontrolle shtesë rutinore ose incizime diagnostikuese vetëm për shkak të marrjes së vaksinës”, thonë nga ISHP-ja.
Nga atje shtojnë se prindërit duhet ta monitorojnë gjendjen shëndetësore të fëmijës dhe të kërkojnë vlerësim mjekësor nëse vërejnë: dhimbje ose ënjtje në zonën e ndonjë kocke apo nyjeje, kufizim të lëvizjes së krahut ose këmbës, vështirësi në ecje, shmangie të mbështetjes në krah ose këmbë, apo shmangie të pazakontë të lëvizjeve të ndonjë gjymtyre. Këto simptoma nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se bëhet fjalë për ndërlikim të lidhur me vaksinën BCG, pasi mund të shfaqen edhe në gjendje të tjera shëndetësore.
Nga Ministria thonë se vaksinimi kundër tuberkulozit është i detyrueshëm, duke pasur parasysh se vendi është zonë me rrezik të lartë nga kjo sëmundje. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria, aktualisht në Institutin për Tuberkuloz (TBC) po trajtohen 95 pacientë me tuberkuloz, prej të cilëve 83 raste janë regjistruar këtë vit.