Mjeku në Maqedoni që protestoi me grevë urie në tendë nuk është diskriminuar, konstaton Komisioni

Mjeku Darko Vasilevski, i cili gjatë vjeshtës mbajti grevë urie për gjashtë ditë në një tendë para Fakultetit të Mjekësisë, duke pretenduar se ishte diskriminuar në konkurset për punësim, pasi i ishte thënë se ishte tepër i moshuar, nuk është diskriminuar, ka konstatuar Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, transmeton Portalb.mk.

Ky konstatim vjen pasi Vasilevski kishte dorëzuar ankesë në këtë Komision, ku kishte theksuar se në tri konkurse për punësim, në vitet 2022, 2023 dhe 2026, ishte komentuar mosha e tij. Sipas tij, në disa raste i ishte thënë se persona shumë më të rinj se ai tashmë kishin fituar tituj akademikë dhe shkencorë, ndërsa ai do të duhej të merrte “urdhra” prej tyre. Konkursi i fundit ku ishte paraqitur mjeku në Fakultetin e Mjekësisë ishte për një vend pune në Institutin e Fiziologjisë Mjekësore dhe Eksperimentale me Antropologji. Në këtë konkurs kishin aplikuar shtatë kandidatë, prej të cilëve gjashtë ishin intervistuar, ndërsa kandidati i shtatë nuk ishte paraqitur.

Fakulteti i Mjekësisë iu përgjigj ankesës së Vasilevskit me kundërargumentin se gjatë këtij konkursi kishte marrë parasysh kohëzgjatjen e studimeve, përkatësisht sa kohë kishte studiuar secili kandidat, si dhe notën mesatare. Sipas fakultetit, në bazë të këtyre kritereve ishin përzgjedhur kandidatë më të mirë se Vasilevski.

“Ndërkaq, ankuesi i ka përfunduar studimet me mesatare më të ulët krahasuar me dy kandidatët e tjerë të propozuar, të cilët i kanë përfunduar studimet në kohë, me mesatare 9,29 dhe 9,21. Njëri prej kandidatëve të propozuar tashmë ishte regjistruar në ciklin e tretë të studimeve të doktoratës në mjekësi”, thuhet në përgjigjen e Fakultetit të Mjekësisë drejtuar Komisionit për Parandalimin e Diskriminimit.

Nga fakulteti kanë shtuar se mosha apo viti i lindjes së kandidatëve nuk ishte paraparë fare si kusht i përgjithshëm apo i veçantë për përzgjedhjen, mbi bazën e të cilit do të udhëhiqej Komisioni i Përzgjedhjes. Si dëshmi, kanë dorëzuar dokumente se në procedura të tjera disa kandidatë të tjerë ishin punësuar edhe pse ishin më të moshuar se Vasilevski.

Komisioni i Përzgjedhjes i hedh poshtë në tërësi pretendimet se gjatë intervistës ishte komentuar viti i lindjes së mjekut. Nga Fakulteti i Mjekësisë kanë theksuar se Vasilevski kishte marrë pjesë edhe në procedurat e mëparshme të punësimit në vitet 2022 dhe 2023, por as atëherë mosha e tij nuk ishte trajtuar apo komentuar. Për më tepër, në të tria procedurat komisionet për përzgjedhje kishin pasur përbërje të ndryshme, gjë që, sipas fakultetit, e pamundësonte vendimmarrjen e njëanshme ndaj tij, e aq më pak diskriminimin për shkak të moshës.

Mjeku Vasilevski i tha gazetës “Sloboden Peçat” se është thellësisht i pakënaqur me mendimin e miratuar.

“Shpreh pakënaqësinë time të thellë me mendimin e miratuar nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, me të cilin nuk u konstatua diskriminim i drejtpërdrejtë gjatë punësimit në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Komisioni e ka anashkaluar plotësisht faktin se gjatë përzgjedhjes si kriter eliminues është marrë kohëzgjatja e studimeve të mia, e cila ishte rezultat i drejtpërdrejtë i statusit tim socio-ekonomik. Vlerësimi i këtij elementi përbën një formë të diskriminimit të tërthortë, i cili ndikon drejtpërdrejt edhe në moshën time. Vendosja e kritereve të tilla të paparashikuara i vë në pozitë të pafavorshme kandidatët që janë përballur me rrethana më të vështira jetësore dhe cenon parimin e mundësive të barabarta. Kjo qasje sipërfaqësore nuk e mbron dinjitetin e qytetarëve, por legjitimon pabarazinë në mjedisin akademik“, tha ai.

Në mendimin e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi theksohet se nuk ka pasur diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj Vasilevskit, edhe për faktin se ai nuk ishte kandidati i vetëm që nuk u përzgjodh në konkurs. Nga gjithsej shtatë kandidatë, përkatësisht gjashtë që iu nënshtruan intervistës, dy ishin përzgjedhur dhe propozuar për punësim. Sipas Komisionit, kjo nuk dëshmon një lidhje të qartë shkakësore ndërmjet moshës dhe përzgjedhjes apo moszgjedhjes së kandidatëve, veçanërisht pasi renditja ishte bërë në bazë të suksesit të arritur gjatë studimeve.

Mjeku dhe specializanti privat Darko Vasilevski e ndërpreu grevën gjashtëditore të urisë para Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup në fillim të tetorit të këtij viti. Si arsye për protestën kishte përmendur pakënaqësinë pasi ishte refuzuar në tri konkurse për punësim, ndërsa kërkonte më shumë transparencë dhe kritere të qarta. Protestën e përfundoi pas gjashtë ditësh pa ushqim.